LAJMI I FUNDIT:

Gjermania mbështet dialogun Kosovë-Serbi dhe arritjen e një marrëveshjeje, ligjërisht të detyrueshme

Gjermania mbështet dialogun Kosovë-Serbi dhe arritjen e një marrëveshjeje, ligjërisht të detyrueshme

Marrëdhënia e fortë mes Kosovës dhe Gjermanisë është ndërtuar mbi vlerat e përbashkëta të lirisë, demokracisë dhe paqes së qëndrueshme, tha të martën në Berlin, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, pas pritjes zyrtare që i bëri homologu i saj, ministri i Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, Heiko Maas.

Ministrja Haradinaj tha se Berlini mbetet kryeqyteti kryesor evropian dhe shtet aleat për Kosovën dhe popullin e saj.


“I shpreha Ministrit Maas mirënjohjen e thellë për ndihmën e Qeverisë gjermane dhënë Kosovës gjatë pandemisë, dhe për përkrahjen palëkundur për vendosjen në agjendë të liberalizimit të vizave gjatë Presidencës Gjermane të Këshillit të Bashkimit Evropian”, tha ajo.

Në njoftimin për media thuhet se ministrja Haradinaj-Stublla dhe ministri Maas diskutuan për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit në fusha të interesit të përbashkët politik e ekonomik, e po ashtu edhe në përfundimin e njohjes së patent- shoferëve.

Ministri Maas nga ana e tij shprehu vendosmërinë që roli i Gjermanisë në dialogun Kosovë – Serbi të vazhdojë të jetë aktiv dhe mbështetës në finalizimin e marrëveshjes gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme për të dyja palët.

Edhe më këtë rast, Ministrja Haradinaj-Stublla nënvizoi nevojën urgjente të definimit të dialogut në tre elemente kyçe: kohëzgjatjen, parimet, dhe objektiven finale, e cila sipas shefes së diplomacisë kosovare, domosdoshëm duhet të rezultojë me njohje reciproke. /Telegrafi/