LAJMI I FUNDIT:

Gjergji Thimo: Koço Kokëdhima më ofroi pazar, donte të falsifikonte ikonat

Gjergji Thimo: Koço Kokëdhima më ofroi pazar, donte të falsifikonte ikonat

Koleksionisti Gjergji Thimo, i ftuar në emisionin “5 pyetjet nga Babaramo”, ka treguar ‘brengën e tij’ që prej momentit kur më 2013, policia sekuestroi ikonat e tij. Thimo u arrestua, e më pas u lirua, ndërkohë që në një bisedë me gazetarin ka folur edhe për ish-deputetin Koço Kokëdhima.


Thimo ka thënë se Kokëdhima i ka ofruar në vitin 2002 që të bëhej pjesë e falsifikimit të ikonave. Ai shpjegon “skemën”: 100 ikonat më të mira të tij do të ekspozoheshin në Qipro, e më pas kur të ktheheshin ikonat në Shqipëri do të ktheheshin ikonat e falsifikuara, pasi ato origjinalet do t’iu shiteshin dy specialistëve nga Qipro dhe Malta.

“Ik o Koço i thashë”, tregon Thimo.

Koleksionisti ka folur edhe për një moment tjetër bashkëpunimi me Kokëdhimën. Ai ka thënë se me ish-deputetin e PS-së, ka patur një miqësi të ngushtë.

“Kur vinte Koço, rrinte deri në 2-3 të natës; vinin diskutonin për hallet që kishin bashkë me gruan. Ramën e kam takuar njëherë tek shtëpia e Koços, njëherë në një galeri dhe në disa ndërmjetësime të tjerat”, thotë Thimo i cili shton se Kokëdhima i ka kërkuar që një nga ikonat e Onufrit t’ia dhuronte ish-kryeministri britanik, Tony Blair, pasi për të kjo ishte diçka normale pavarësisht se ishte në shkelje të plotë të ligjit. “Në një dhomë të shtëpisë së Koços, ishim të tre. U diskutua që një ikonë t’i bëhej dhuratë Tony Blairit. Rama kruajti kokën dhe iku, ngelëm vetëm unë dhe Koço. Koço, si megaloman që është – se kujtonin se e kishin shtetin të tyre – më bëri kërkesë. Kur vajta në shtëpi, më bëri edhe SMS, futi edhe ndërmjetës Sami Starovën që vidhte ikona. Ikonën e Onufrit më tha sille ta shohë Edi Rama. Unë refuzova dhe për këtë më kanë arrestuar”. /Shqiptarja/