Gjendje alarmante me ndotjen e ajrit në vend, ekspertët e Ekologjisë kërkojnë punë, jo projekte që nuk realizohen

Maqedonia po përballet sërish me një situatë shqetësuese sa i përket ndotjes së ajrit, ku shumë qytete ndodhen në gjendje alarmi për shkak të rritjes së ndjeshme të grimcave të dëmshme PM10 dhe PM2.5, të cilat kanë arritur nivele shumë të larta dhe tejkalojnë kufijtë e lejuar.
Sipas matjeve të stacioneve monitoruese, në disa zona urbane ndotja ka kaluar disa herë normat e rekomanduara, duke e kthyer ajrin në një rrezik serioz për shëndetin e qytetarëve. Ditët e fundit, qytetarët kanë raportuar mjegull të dendur (smog), erë të rëndë dhe vështirësi në frymëmarrje, ndërsa shumë prej tyre janë detyruar të kufizojnë daljet jashtë.
Ekspertët paralajmërojnë se situata përkeqësohet veçanërisht gjatë periudhës së dimrit, për shkak të përdorimit masiv të lëndëve djegëse për ngrohje, trafikut të dendur dhe kushteve atmosferike që pengojnë shpërndarjen e ndotjes. Megjithatë, kjo gjendje tashmë nuk konsiderohet vetëm sezonale, por një problem i vazhdueshëm dhe serioz mjedisor, thotë profesor doktori Trajçe Stafirov.
“Zgjidhja e vetme është të zvogëlojmë burimet e ndotjes. Ata kryesorët i përmenda; masat janë të njohura, tanimë janë bërë shumë studime për qytetin e Shkupit dhe për shumë qytete tjera të Maqedonisë, por masat shumë ngadalë po realizohen, disa edhe zvarriten prej 20 vitesh, siç janë deponitë rajonale ku strategjia është përpunuar në vitin 2006, por nuk kemi asnjë nga ato stacione rajonale të ndërtuara. Kështu që nuk është se nuk dijmë si, jo se nuk mundemi, por duhet të intensifikohen përpjekjet”, tha Trajçe Stafirov – Ekspert i Çështjeve Mjedisore.
Përkundër paralajmërimeve të vazhdueshme, qytetarët kërkojnë masa më konkrete dhe më efikase nga institucionet për të mbrojtur shëndetin publik dhe për të përmirësuar cilësinë e ajrit. Situata aktuale po rikthen në fokus urgjencën për politika të qëndrueshme mjedisore dhe ndërgjegjësim më të madh shoqëror.
“Vetëqeverisja lokale duhet të subvencionojë qytetarët me inverter dhe me peleta. Gjithashtu, komuna duhet t’i përforcojë kontrollet e inspektorëve në terren për të parandaluar dhe zvogëluar ata që djegin goma të vjetra, vaj dhe plastikë, dhe disa materiale të tjera të cilat ndotin ajrin me qeliza kancerogjene. Shteti do ta këshilloja të mundohet ta gazifikojë TEC Oslomen, sepse e njëjta ka mundësi të ngrohë të gjithë qytetin e Kërçovës me vendosjen e sistemit në nivel qyteti”, u shpreh Mile Aleksovski – ekspert i Ekologjisë.
Kjo situatë është veçanërisht alarmante për fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje kronike të frymëmarrjes dhe zemrës, andaj Ministria e Mjedisit Jetësor, dy ditë më parë, vendosi masa restriktive për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, për gratë, të moshuarit, personat me sëmundje kronike dhe fëmijët, që të kufizojnë lëvizjet dhe të shkurtohet orari i punës, ndërsa Inspektorati të dalë në terren për të kontrolluar lejet A dhe B të industrive vendase. /tv21
















































