LAJMI I FUNDIT:

Gjashtë të arrestuar për mundësim dhe detyrim në prostitucion

Gjashtë të arrestuar për mundësim dhe detyrim në prostitucion
Foto: Arkiv

Policia e Kosovës në vazhdën e angazhimeve në parandalimin dhe luftimin e veprave kriminale, konkretisht Drejtoria për Hetimin e trafikimit me Qenie Njerëzore (DHTQNJ), me qëllim të marrjes së masave proaktive dhe verifikimit të informatave në terren ka hartuar planin operativ për inspektimin e salloneve  të masazheve, i cili është realizuar në bashkëpunim dhe mbështetje të inspektorëve komunal, inspektorëve të punës, zyrtarëve të ATK-së, inspektorëve të MINT-se dhe njësive tjera të profilizuar në kuadër të PK-së.

Plani operativ “Masazha-2021” i realizuar përgjatë këtij muaji në  nivel vendi, ka rezultuar me arrestimin e gjashtë personave të dyshuar mbi dyshimin e bazuar për përfshirje në veprat penale “Mundësim apo Detyrim në Prostitucion”, “Ofrim i Lokaleve për Prostitucion” dhe “Bashkëkryerje”.


Gjatë këtij operacioni policor, nën autorizimin e organeve të drejtësisë dhe në bashkëpunim me institucionet kompetente janë inspektuar 53 lokale, prej tyre 29 lokale janë mbyllur nga inspektorët  komunal si dhe janë shqiptuar  gjoba për mungesë të arkave fiskale, mungesa e dokumenteve të punës  etj.

Nga zyrtarët policorë gjatë këtij operacioni janë legjitimuar 196 persona me shtetësi të ndryshme si, nga Shqipëria, Tajlanda, Italia, Greqia, Rumania, Serbia dhe Kosova, ku të gjithë shtetasit e huaj në mungesë të  paraqitjes së lejes së punës dhe qëndrimit, sipas procedurave janë trajtuar nga Drejtoria për Migrim dhe Huaj si kompetencë e tyre lëndore.

Personat e dyshuar me vendim të prokurorit kompetent janë dërguar në mbajtje për 48 orë. /Telegrafi/