Policia e Kosovës në bashkëpunimin me Doganën kanë zhvilluar të hënën një aksion në veri, ndërkaq gjatë kontrollit është zbuluar një laborator për kultivimin e kanabisit me mbi 10 mijë fije bimë të gatshme për t’u shitur në treg ilegalisht.

Aksioni i policisë është ndërmarrë në afërsi të kufirit me Serbinë, përkatësisht në vendin e quajtur Izvor, ndërkaq më vonë u bë e ditur se gjatë këtij aksioni zyrtarët e Policisë dhe Doganës janë gjuajtur me armë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se gjatë këtij aksioni nga të shtënat nuk ka persona të lënduar.

“Përgjatë këtij aksioni zyrtarët e policisë dhe doganave janë gjuajtur me armë zjarri, por aksioni po vazhdon me sukses pa asnjë lëndim apo dëm material”.

“Ky është rezultat i vendosmërisë së madhe duke bërë kështu që çdo ditë e më shumë vendi ynë të çlirohet nga krimi. Ju lumtë Policia dhe Dogana e Kosovës!”, ka deklaruar Sveçla.

Aksioni në veri: Zyrtarët e policisë dhe doganës janë gjuajtur me armë zjarri, u zbulua laboratori ku kultivohej kanabis Aksioni në veri: Zyrtarët e policisë dhe doganës janë gjuajtur me armë zjarri, u zbulua laboratori ku kultivohej kanabis

E gjatë aksionit në veri, Policia e Kosovës ka hasur edhe në një laborator për përpunim dhe prodhim të substancave narkotike.

Vlera e drogës së konfiskuar nga zbulimi i laboratorit kultivues të drogës, në Izvor afër kufirit me Serbinë, ka rezultuar të jetë gjashtë milionë euro, ndërsa vlera e pajisjeve 1.5 milionë euro.

Në afërsi të kufirit me Serbinë, në vendin Izvor, në veri të Kosovës, policia zbuloi laboratorin e kultivimit të marihuanës me mbi 10,000 fije bimë të gatshme për t’u shitur ilegalisht në treg.

Telegrafi ka arritur të sigurojë disa pamje brenda laboratorit të sofistikuar të drogës.

Siç shihet laboratori i kishte të gjitha kushtet për rritjen e bimëve të kanabisit të cilat do të hidheshin në treg sapo të ishin gati.

Sveçla në postimin e tij të fundit, ka publikuar edhe një fotografi të një zyrtari policorë duke i vënë flakën drogës së konfiskuar./Telegrafi/