LAJMI I FUNDIT:

Gënjeshtra “patriotike” e tre vëllezërve të Skënderbeut të helmuar nga Sulltani

Gënjeshtra “patriotike” e tre vëllezërve të Skënderbeut të helmuar nga Sulltani

Deri tani, në dy shkrime, duke u mbështetur mes të tjerash në botimin më së fundi në Tiranë nga Fondacioni Arsimor Kulturor Humanitar i të gjitha botimeve të “Kalendarit Kombiar” (drejtuar prej rilindasve Kristo Luarasi dhe Mit’hat Frashëri në vitet 1897-1928), vumë në dukje se na kanë shpëtuar nga vëmendja e duhur dy rrethana: e para, Naim Frashëri me librin e tij poemë të zjarrtë “Istori ei Skënderbeut” ka dëshmuar që në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë profilin e qartë të një politikani mjaft aktiv për të luftuar me armë në dorë sundimin osman dhe çliruar Shqipërinë; e dyta, që midis tij dhe të vëllait filozof dhe enciklopedist, politikan projektues i organizimit të ardhshëm proevropian të shtetit tonë, Sami Frashërit, kishte një diferencim.

Pra nuk përputhen në analizën që bëjnë për Gjergj Kastriotin.


Në vijim të argumentimit të tezës së parë i paraqitëm lexuesit fragmente prej “Kalendarit Kombiar” të vitit 1901, çfarë këto çste do ta plotësojmë me një rishfletim të atij të motit të mëpasshëm.

Në 1902 ky kalendar enciklopedik, ndërsa rreshton ngjarjet kryesore shqiptare nëpër shekuj, në motin 1467 shënoi se këtë vit kishte vdekur Skënderbeu, i cili pati kryer kundër turqve “njëzetë e kaqë luftëra” dhe që në të gjitha “ka dalë mundës dhe kurrë i mundur” (siç dihet Gjergj Kastrioti ndërroi jetë në 17 janar 1468 dhe data e mësipërme e pasaktë është paraqitur edhe në botimet pararendëse të “Kalendarit Kombiar”).

Më 1879 kalendari i 1902 tërheq kureshtinë e lexuesit me tekstin se këtë mot u krijua në Stamboll Shoqëria “Bashkimi” me kryetar Sami bej Frashërin dhe se “kjo shoqëri shtypi të parën Abetare shqip”.

Në rubrikën “Ngjarjet e motit 1901” kalendari i mësipërm ndër librat e publikuar shënon edhe një 40 faqesh me autor Mali Kokojka. Titullohet “Naim Be Frashëri”.

Në faqet e mëpastajme botohet në pothuaj katër faqe një shkrim i vetë Naim Frashërit, tashmë jetëndërruar, me titull “Lig’ e përjetshme e shqiptarëvet”.

Menjëherë pas saj shfaqet shkrimi “Një stërnip i Skënderbeut”. Bashkë me një foto (sa një e tërë faqe) e Don Aladro Kastriotit si edhe një letre të tij drejtuar shqiptarëve, pasardhësi fals, për të cilin kemi folur gjerësisht në pjesët e hershme të këtij cikli për 550 vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit, shtriqet e zë jo pak, por pesë faqe të “Kalendarit Kombiar” të motit 1902.

Për aq sa paraqitëm për dy edicionet e këtij kalendari, botimet 1901 dhe 1902, bëhet shumë e dukshme një epërsi publiciteti e tij posaçërisht më e madhe për Naimin dhe vetëm pas tij përmasa promovuese për Samiun. Kjo dukuri vjen jo aq fort nga që në 1900 Naimi kishte ndërruar jetë dhe me këtë rast po i bëheshin nderimet, por sepse poeti i madh i “Bagëti e Bujqësi” pati fituar popullaritet edhe më të madh në sajë të “Istori e Skënderbeut”.

Kjo poemë me frymën dhe idetë e saj çlirimtare e kapërcyen tepër ndjeshëm “Shqipëria çka qenë, ç’është e çdo të jetë” e Sami Frashërit. Naimi bënte kushtrim për luftë çlirimtare me armë, pra edhe të rënë në fushën e betejës, kurse i vëllai si duhej të organizohej shteti i lirë.

Doemos që populli i thjeshtë dhe intelektulët e kohës zgjodhën si çështjen numër një luftën nën shëmbullin e Gjergj Kastriotit. E dyta duhej të priste, nuk qe çështje urgjente e viteve të fundit të njëqindvjeçarit 1800 dhe i moteve të para të atij 1900.

Këmbëngulim: Majakovski, poeti i revolucionit, vargun do ta konsideronte “bombë dhe flamur”. Shpatë dhe grykë pushke qe ai i Naim bej Frashërit.

Ndoshta këndi i vështrimit prej të cilit dy vëllezërit e shquar interpretuan kohën, qe jo i ngjashëm përderisa që të dy, adhurues të padiskutueshëm të Skënderbeut, nuk qenë plotësisht të një mendjeje jo për anësoren, por për thelbësoren e veprës së tij historike.

Naim Frashëri në poemën e tij në gjuhën shqipe subjektin rrëfyes e ka të lidhur fort me metaforën se si Fati i Shqipërisë, me rroba të leckosura, niset prej viseve të veta dhe shkon në oborr të Sulltanit. Këtu i shfaqet përpara oficerit të lartë perandorak, Gjergj Kastriotit, i cili thirrej Iskander. Përballë djalit të fundit të Gjonit një çast fytyra e Fatit të Shqipërisë mori pamjen e vetë të atit të Skënderbeut, pak mote më parë vdekur.

Vetëm për vetëm me Gjergjin ai i bën thirrje të linte oborrin e perandorit osman dhe të kthehej në atdheun e tij për ta çliruar. Skënderbeu, i cili brenda vetes e kishte në vlim këtë dëshirë, pranoi dhe në rastin më të parë u nis drejt Krujës. Këtu populli po e priste si të qe një “pëllumb i shkruar”.

Ky për sa më sipër ishte një subjekt i thjeshtë dhe shumë romantik për kohën, mjaft nxitës për secilin shqiptar: ngrihu në këmbë të çlirosh mëmëdhenë!

Sami Frashëri në enciklopedinë e tij turqisht “Kamus Al-A’lam” tek zëri për Skënderbeun, siç pjesërisht bëmë të ditur në shkrimin e mëparshëm, thotë se ishte Murati II që ia kishte marrë peng katër djemtë Gjon Kastriotit dhe jo ky i fundit, mbështetur prej një rregulli të detyrueshëm perandorak për tërë zotërit e krishterë që viheshin nën regjim pushtimi, ia dërgoi Sulltanit bijtë e tij, më shumë si garanci besnikërie se sa peng.

Sami Frashëri shkruan se Gjergji, më i vogli i të katërve, e fitoi menjëherë “simpatinë dhe dashurinë e padishahut, i cili e quajti Skënder në gjasim me Lekën e Madh, i cili i takonte të njëjtës racë me të. Qe edukuar bashkë me princin Sulltan Mehmet Hanin II”.

Shihni: Sami Frashëri pohon se Gjergj Kastrioti çmohej, vlerësohej, por edhe duhej aq fort prej Sulltan Muratit, saqë ky e lejoi të ishte shok i ngushtë me të birin e tij, sulltanin e mëpasshëm Mehmet.

Shkon më tej analiza dhe befasia e Sami Frashërit, guximi i tij në diturinë e historisë: “Kur u rrit u emërua sanxhak-be në Sërbi, në Sham dhe në shumë vende të tjera dhe si i tillë shërbeu në ushtrinë e Perandorisë Osmane”. Vëmendje: Samiu nuk e thotë që Skënderbeu e pati kryer këtë shërbim edhe në Krujë, tokat të cilat Gjergji i konsideronte të të atit dhe të familjes Kastrioti, siç qe edhe e vërteta.

Pak më poshtë: “Kur i vdiq babai, territori në krye të të cilit ishte ai, iu aneksua shtetit Osman ashtu që në Akca Hisar (Krujë) u dërgua një muhafiz, ndërkaq, Skëndërbeu në atë kohë gjendej në ekspeditën ushtarake në Sham. Kur u kthye u njoftua se i kishin vdekur tre vëllezërit. Skëndërbeu e parashikonte që pas vdekjes së të atit, njëri nga vëllezërit e tij ose ai vetë të emërohej si princ i krahinës së trashëguar. Mosarritja e këtij qëllimi, në njërën anë, dhe vdekja e vëllezërve, nga ana tjetër, e hidhëroi, prandaj kërkonte rastin e volitshëm për të ikur…”

Shihni sërish: ndërsa ndjek pa u lëkundur tezën se në themel të braktisjes që Skënderbeu i bëri Sulltanit dhe Peradorisë Osmane qe çështja e pronave të tij, çfarë ishte një sfidë për subjektin e romantizuar dhe njëkohësisht të ngjizur me propagandë nacionale se qe lufta për liri e tërë popullit shqiptar që e ftonte, Sami bej Frashëri kapërcen me një lëvizje të kujdesshme mospërplasëse tezën e tejkonsumuar se tre vëllezërit më të mëdhenj të Gjergjit qenë helmuar nga Sulltani.

Ai shkruan thjesht se kur u kthye nga shërbimi në Sham, Skënderbeu i lidhur fort jo vetëm me Portën e Lartë, por edhe me vetë familjen e sulltan Muratit, u gjet përballë dy goditjesh të rënda: i patën rrëmbyer (shtetëzuar) principatën dhe marrë jetën tre vëllezërve. Sigurisht më keq se kaq nuk kishte! Pabesia e Sulltanit qe e madhe.
Sipas rregullit më elementar të trashëgimisë, të drejtën e të qenit i pari pasardhës zyrtar i Gjonit e kishin tre djemtë më të rritur, ndërsa për Gjergjin, duke qenë më i vogli, as që bëhej hë për hë fjalë.

Shumë dokumente dhe kërkime historianësh kanë zbuluat më pas se asnjë zhdukje me helmim nuk u ka ndodhur tre vëllezërve të Skënderbeut, se ata kanë ndërruar jetë në kohë të ndryshme dhe dy shumë më përpara se të shpërthente marazi i Gjergj Kastriotit ndaj Muratit dhe të nxitonte sa më parë të vinte në dorë pronën e përvetësuar pa asnjë të drejtë dhe po ashtu arsye.

Njëri vëlla, Reposhi, ishte shumë besimtar dhe aspak i lidhur me çështje të trashëgimit të pronave. Ai ka varr dhe në të të shkruar kohën e ndërrimjetës: 25 korrik 1431. Pra dymbëdhjetë mote më herët nga çasti kur Skënderbeu mori vendimin e braktisjes së shërbimit pranë Sulltanit. Streha e tij e pasjetës ndodhet në Manastirin e Hilandarit dhe titullin fisnik e ka po ashtu të shkruar mbi varr: “dux illyricus” (“udhëheqës ilir”).

Vëllai tjetër, Kostandini, sërish nuk qe gjallë kur ndodhi ndryshimi i madh në jetën e Gjergjit, duke prirë luftën e çlirimit prej otomanëve dhe qëndresën e të gjithë princëve të tjerë, me të cilët kreu besëlidhje dhe iu dha prej tyre vetëm statusi i komandantit ushtarak, jo edhe i liderit politik. Për vdekjen e Kostandinit thjesht nuk ka asnjë të dhënë, çfarë do të shkaktonte të kundërtën po qe se do të ishte e porositur nga Porta e Lartë, pra të qe e dhunshme. Kronikat do ta regjistronin domosdoshmërisht.

Ndërkaq vëllai tjetër, Stanisha, sipas një dokumenti venecian të janarit 1445, këtë kohë është gjallë, çfarë provohet edhe me burime të tjera informimi. Herë pas here për të ka pasur hamendje se, sipas rradhës në pemën gjenealogjike të Kastriotëve, ishte trashëguesi i parë i pronave dhe i titullit të princit, çfarë qëllimi doli më i qartë nëpërmjet sjelljes së të birit të tij, Hamzait, i cili pikërisht sepse Skënderbeu bëri djali dhe e mbylli si të drejtë të tij zotërimin e pronës atërore, e tradhëtoi duke u bashkuar me Sulltanin.

Për të mos hyrë më tepër në këtë labirinth trashëgimie të principatës, për tezën që diskutojmë, atë të mospërputhjes së imazheve të Naim dhe Sami Frashërit për Skënderbeun, nuk ka asnjë të helmuar prej tre vëllezërve të tij.
Kjo mbetet të jetë një gënjeshtër “patriotike”, një marifet i zakonshëm i djallëzimit të armikut, Turqisë sulltanore, ndaj të cilës u mobilizua me armë dhe propagandë Evropa e Krishterë, të cilës në Edrene ia kishin shpallur fundin duke e pushtuar dhe ngritur mbi kupolën e Shën Pjetrit në Vatikan flamurin me gjysmë hënë.

Kjo legjendë e tre vëllezërve të helmuar të Skënderbeut vijon edhe tani, madje të doktrinuar prej saj janë gati të quajnë tradhëtar në rast se beson që nuk ka qenë fare kështu.

Por këtë, të paktën mosvdekjen nga helmi, nuk e beson edhe vetë Sami Frashëri. Ky një shekull e një çerek më parë, kur botoi “Kamus Al-A’lam”, shkoi edhe më tej: shkroi se kryengritja e Skënderbeut u shkaktua për çështje të pakënaqësisë së tij për shtetëzimin e pronave që i takonin atij.