Arben Gega, kandidat i PDK-së për deputet, i cili vjen nga sektori i ndërtimit, ka shprehur synimet e tij në rast se siguron ulësen në Kuvendin e Kosovës.

Ai ka thënë se ka shumë hapësirë në Ligjin e Ndërtimit për ta bërë edhe më funksional. Ai ka thënë se me ligjin aktual të legalizimit të objekteve, janë bllokuar miliona euro.


“Kërkesa kryesore e imja në Parlament do të jetë që sa më shumë të shtyhet përpara ligji për legalizim. Janë të bllokuara miliona euro në mungesë të ligjit të legalizimit. Është ky ligj, por të thjeshtohet sa më shumë procedurat sepse nuk është vetëm te objektet banesore, por është edhe për shpitë private. Ai është kapital i vdekur. Ne jemi të goditur shumë te mungesa e pranimit teknik”, thotë ai.

Sipas tij, do të bëjë përpjekje për eliminimin e byrokracive në çështjet e lejes së ndërtimit.

“Te ligji i ndërtimit ka hapësirë me u punua shumë. Tash është koha e digjitalizimit, tash duhet me shkua me prit me ba kërkesën në drejtorinë e kadastrit dhe të nesërmen me dërgua në urbanizëm. Pra e shmang burokracinë dhe korrupsionin. Te ne thjeshtohen shumë procedurat. Edhe Komuna e Suharekës ka filluar, por përmes ministrisë së ambientit dhe të punës me lejua rritjen e stafit. Bëhet gabim që komunat konsiderohen të njëjta në bazë të numrit të banorëve, nuk mund ta krahasosh Suharekën që ka 15 ndërtues ose 20 aplikantë njëjtë si me Rahovecin dhe Dragashin që kanë dy ose tri kërkesa”, ka thënë Gega, i cili mban numrin 68 në listën e PDK-së.