LAJMI I FUNDIT:

Gazetari më profesionist në Kosovë

Gazetari më profesionist në Kosovë

Ibrahim Rexhepi për mua ka qenë dhe do të mbetet gazetar model dhe profesionist i disa gjeneratave. Ibra ka qenë njeriu kryesor që më ka ndihmuar të bëhem gazetar dhe të kultivoj profesionalizëm në gazetari dhe shumë punë të tjera. Cilësitë e tij si njeri dhe profesionist tejkalojnë nivelin e shumicës së gazetarëve në Ballkan.

Ibrahim Rexhepi ka krijuar profilin e tij publik nga Rilindja, për të vazhduar tutje në Kosova Sot e Koha Ditore, e që më vonë të jepë kontributin profesionist në shumë medie të tjera ku gjithnjë ka qenë referencë për gazetarinë që ka mbuluar kryesisht ekonominë por edhe më gjerë. Ibra ka punuar në ambiente të ndryshme, por gjithmonë ka qenë i njëjti në punën e tij dhe udhëheqjen e ekipeve të gazetarëve. Ai ka qenë profesionist.


Profesionalizmi i tij i skajshëm ka qenë mburojë nga të gjitha ndikimet. Ibra nuk ka pasur ndonjë dobësi të cilën një pronar medie apo një biznes ka mundur ta shfrytëzojë që të ndikojë te tekstet e një mediumi ku ai ka qenë duke punuar. Ka jetuar në mënyrë modeste dhe nuk ka lakmuar që të bëjë pasuri ne dëm të gazetarisë apo punës së tij. Ibra gjithmonë e ka kërkuar edhe një burim apo opinion që storia të jetë e plotë.

Nga puna e tij e palodhshme kanë dalë shumë gazetarë, disa prej të cilëve e kanë ndjekur rrugën e tutorit dhe kanë ruajtur profesionalizmin, disa ndoshta edhe nuk kanë bërë këtë. Mirëpo, jam i sigurt se secili prej nesh që e ka pasë Ibrën redaktor, gjatë atyre viteve kemi ndërtuar ndoshta edhe pjesën më të çiltër dhe profesionale të karrierave tona. Edhe unë, edhe Astrit Gashi, edhe Birol Urcan, Altin Ahmeti, Zekrija Shabani e Arbana Xharra, kemi përfituar nga Ibra dhe kur kemi punuar me të jemi konsideruar të drejtë dhe profesionalë.

Karrierat tona pas punës me Ibrën janë zhvilluar fal emrit që e kemi krijuar kur kemi punuar me të.

Të punosh me Ibrën ka qenë e pamundur të jesh nën ndikime të jashtme dhe ta përdorësh gazetarinë për qëllime të tjera. Ibra ka qenë shumë strikt dhe kërkues nga gazetarët. Gjithmonë je frikësuar nëse Ibra do ta kërkojë edhe një burim shtesë, por gjithmonë ka qenë shoku më i mirë në fund të një dite të lodhshme në redaksi.

Ibrahim Rexhepi vdiq sot, më 8 tetor 2018

Ndjesë pastë.

Ibro të kemi borxh shumë.

Virtyti