LAJMI I FUNDIT:

Gazetari Artan Hoxha në magazinën e drogës: Kanabisi është gati për eksport (Video)

Gazetari Artan Hoxha në magazinën e drogës: Kanabisi është gati për eksport (Video)

Gazetari investigativ i News 24, Artan Hoxha pas zbulimit të parcelave me kanabis sjell për herë të parë pamje të një magazine ku thahet kanabisi.

Pamjet publikohen pak para se gjigandi BBC të transmetojë një reportazh për kanabisin e Shqipërisë. Gazetari zbulon se pikërisht këto pamje do të jenë pjesë e këtij reportazhi, që e etiketon Shqipërinë si prodhuesin më të madh të kanabisit në Evropë.


Sipas Hoxhës, jo vetëm BBC ka ngjallur interes për kanabisin. Ai thotë se së fundmi ka shoqëruar të paktën 8 grupe xhirimi të mediave të ndryshme botërore në Shqipëri.

“Grupin e BBC e kam shoqëruar në një nga zonat më problematike, për rreth një muaj kanë qëndruar këtu. Ato kërkonin një zonë ku nuk do të mbikëqyreshin, donin të kontaktonin me kultivuesit, trafikantët. Nuk është një gjë e lehtë. Grupi i BBC ka shkuar në një vend ku nuk shkon policia”, tha Hoxha.

Por në çfarë zone është regjistruar videoja, ku gazetari shfaqet brenda magazinës me kanabis në proces tharje? Hoxha thotë se nuk mund të tregojë ekzaktësisht vendin, pasi është pjesë e marrëveshjes me trafikantët që të lejonin atje grupin e xhirimit të BBC, por zbulon se zona ndodhet mes Shqipërisë së mesme dhe asaj të Jugut.

“Gazetarët donin të takonin punëtorët. Kemi kontaktuar me disa punëtorë që flisnin shumë mirë anglisht. Edhe mulliri që mbaj në dorë iu përkiste atyre. Boçja e tharë e kanabisit futet në pjesën e sipërme, mulliri rrotullohet dhe del fiks masa e kanabisit që duhet për një cigare”,- sqaron ai.

Duke u ndalur tek pamjet e transmetuara, Hoxha zbulon se bëhet fjalë për rreth 25 kg kanabis në proces tharje.

“Produkti është gati për treg, i vetmi proces i mbetur është paketimi. Kjo është boçja e tharë, gati për treg, Na thanë që është 25 kg. Në Britani një kg kushton 15 mijë paund nëse do ta çonin atje fitimi do të ishte shumë i madh. Unë përmend aty që duhet të ketë disa ditë diell, pra është bërë në një kohë me shi xhirimi. Proçesi i tharjes këtë vit zgjati shumë për shkak të reshjeve të shumta që ka pasur”, tregoi më tej gazetari.