LAJMI I FUNDIT:

Gastronomët: Pa mbështetje financiare s’i respektojmë masat e vendosura nga Qeveria

Gastronomët: Pa mbështetje financiare s’i respektojmë masat e vendosura nga Qeveria

Komitetit për menaxhimin e pandemisë COVID-19 gjatë së hënës i dorëzoi propozimet për masa të reja Qeverisë së Kosovës. Vendi, i cili është ndarë në zona në bazë të numrit të të infektuarve, pritet të ballafaqohet me masa më të ashpra. Në to parashihet kufizimi i lëvizjes dhe kufizimi i orarit të punës për bizneset.

Për gastronomët, çdo mbyllje pa mbështetje financiare nga ana e shtetit është e papranueshme.

Shoqata e Gastronomeve të Kosovës paralajmëron se për shkak të gjendjes së rëndë me të cilën po ballafaqohen do të detyrohen t’i hapin lokalet edhe nëse vendoset për ndonjë mbyllje tjetër. Madje ata paralajmërojnë protesta kundër çfarëdo lloj mase që rrezikon këtë sektor.

Veton Zuka nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës thotë se si pasojë e karantinimit gjatë fundjavës së kaluar, sektori i gastronomisë ka pësuar humbje 100 për qind.

Ai madje thotë se nëse do merret vendim për ndonjë mbyllje tjetër do të jetë e vështirë të menaxhohet situata pasi që pronarët e këtyre bizneseve janë të revoltuar dhe do tentojnë t’i hapin kafiteritë dhe restorantet pasi po ballafaqohen me gjendje të rëndë ekonomike.

“Nëse e shikojmë qarkullimin që ndodh në vikend, sidomos në Prishtinë por edhe qytetet tjera, humbja është 100 për qind sepse nuk ka funksionuar hiç, por çka ndodhi? Ndodhi automatikisht lëvizja e qytetarëve në Maqedoni të Veriut e në Shqipëri, gjë që jemi duke folur për miliona para në qytetet e tjera që realisht Maqedonia ka më shumë raste se ne, Shqipëria po ashtu më shumë se ne. Është e pakuptimtë, edhe prej bizneseve, edhe nuk po e dimë pse po ndodh kjo po i mbyll qytetet tua dhe bizneset dhe qytetarët po shkojnë në shtetet tjera. Nuk ma merr mendja se do i mbajmë të mbyllura nëse nuk kemi një ndihmesë nga shteti, sepse është problem edhe për neve si shoqatë t’i menaxhojmë dhe ndalojmë bizneset se janë në gjendje të keqe. Kështu që është e natyrshme reagimi i tyre ose hapja e tyre kushtimisht në mënyrë të rebeluar”, u shpreh ai.

Bizneset kundërshtojnë mbylljen nga vendosja e masave nëse nuk mbështeten financiarisht nga Qeveria e Kosovës
Lexo po ashtu Bizneset kundërshtojnë mbylljen nga vendosja e masave nëse nuk mbështeten financiarisht nga Qeveria e Kosovës

Zuka thotë se çdo vendim i radhës duhet të merret në koordinim me gastronomët. Derisa thotë se ata nga qeveria po kërkojnë subvencionim të pagave të punëtorëve, subvencionimi të qirave 40 për qind deri 50 për qind dhe ndihmesë rreth problemeve bankare.

“Çdo mbyllje kërkon edhe kompensim dhe çdo rregull që e kanë kërkuar kërkon kompensim, nuk ka ndodhur asgjë, përpos që janë dëmtuar bizneset në përgjithësi e posaçërisht gastronomia se është mbyllur e para dhe non-stop është persekutuar e para prej vendimeve sikur tash këto, karantinimi i Prishtinës, mbyllja totale tash prapë me javë apo ditë nuk ka rëndësi. Por gjithmonë është kërkuar nëse bashkë bëhet mbyllja le të jetë në koordinim me subvencione dhe kërkesat që i kemi nuk kanë ndodhur, janë në gjendje shumë të keqe dhe bizneset janë shumë të frustruara, gjë që edhe ne si shoqatë po i kemi vështirë t’i menaxhojmë sepse ata i kanë kërkesat e veta që janë shumë legjitime dhe të drejta”, theksoi Zuka.

Ai thotë se rreth 40 për qind e punëtorëve të këtij sektori kanë mbetur pa punë si pasojë e masave të ndërmarra nga qeveria me qëllim të parandalimit të përhapjes të pandemisë.

“Në bazë të kontaktit dhe komunikimeve që kemi me përfaqësuese kemi një humbje të punëtorëve apo të vendit të punës 30 deri në 40 për qind dhe kjo gjithmonë duke shtyrë me gjoks sepse nuk kanë dashur me ndodh ajo, por është vetëm duke ndodhur. Plus asaj kemi edhe një rënie enorme të klientëve, sidomos në restorante, sepse ndoshta është edhe një drojë apo frikë me dal. Gjendja në përgjithësi është shumë e keqe, janë duke na dëmtuar edhe më shumë me këto vendime, plus po merren vendime që nuk janë në diskutim dhe në koherencë me gjendjen e bizneseve. Do të thotë nuk e di sa ka me zgjat kjo por bizneset, nuk do të durojnë dhe ka me qenë problem t’i menaxhojmë. Sa filloi këtyre ditëve të fundit një këndellje sado pak e vogël e bizneseve, përndryshe humbjet kanë qenë 60-70 për qind ka pasur shit-blerje të bizneseve me pak para’ është shtyrë me gjoks se në asnjë moment nuk ka qenë mbarëvajtja e punës në suaza të normales”, vijoi ai.

Komuna e Prishtinës kundër mbylljes totale, nënkryetari Nushi thotë se 30 mijë qytetarë mbetën papunë
Lexo po ashtu Komuna e Prishtinës kundër mbylljes totale, nënkryetari Nushi thotë se 30 mijë qytetarë mbetën papunë

Duke e parë revoltimin e pronarëve të lokaleve të gastronomisë, Zuka paralajmëron edhe protesta pasi që nuk pajtohen me masat që i dëmton ato.

“Aq kemi presion nga bizneset dhe gastronomët se nëse nuk realizohen kërkesat atëherë do të kemi një imponim në mënyrë që t’i mbajmë protestat. Mënyra e protestave do jetë simbolike si gjithmonë, jo e rebeluar, por kemi opsione shumë. Përderisa punojnë kufijtë dhe autostradat dhe shkojnë shtete të tjera mundet me ndodh edhe ndonjë bllokim i autostradës për shembull, por ka edhe opsione të tjera sikur herën e fundit me zhurmë me lugë dhe pjata, kreative munden me qenë”, tha Zuka.

Në 24 orëshin e fundit janë testuar gjithsej 1 mijë e 712 persona, prej tyre pozitiv me COVID-19 kanë rezultuar 637 raste, e betejën me pandeminë e kanë humbur 13 persona. /KP/