Legjenda uellsiane Gareth Bale zbuloi arsyet shëndetësore familjare që ndikuan në tërheqjen e tij nga futbolli në moshën vetëm 33 vjeçare.

Lojtari me më shumë ndeshje të të gjitha kohërave dhe golashënuesi më i mirë i Uellsit tronditi botën e futbollit kur njoftoi në janar 2023 se do të varte këpucët në gozhdë.


Vendimi i tij erdhi menjëherë pasi Uellsi u eliminua nga Kupa e Botës në Katar, kur ata përfunduan të fundit në një grup që përfshinte Anglinë, SHBA-në dhe Iranin.

"Ndihem jashtëzakonisht me fat që kam përmbushur ëndrrën time për të luajtur sportin që dua. Më ka dhënë vërtet disa nga momentet më të mira të jetës sime", tha në atë kohë ish-ylli i Tottenhamit dhe Real Madridit.

Duke luajtur për Los Angeles, Bale e mbylli një karrierë të shkëlqyer duke fituar Kupën e tij të parë në MLS, një medalje fituese që ia shtoi koleksionit të tij së bashku me pesë tituj të Ligës së Kampionëve dhe shumë, shumë të tjerë.

Dhe tani, duke folur për herë të parë rreth arsyes pse mendonte se ishte koha e përsosur për t’i dhënë fund karrierës, futbollisti dikur më i shtrenjtë në botë ka treguar se si sëmundja e babait të tij, Frank, bëri që ai të ndryshonte fokusin jashtë fushës.

"Babai im u sëmur dhe kjo luajti një rol të madh në vendimin tim. Njerëzit nuk e dinë se çfarë kalon kushdo në shtëpi, por shpejt e kuptova se jeta nuk ka të bëjë vetëm me futbollin", tha Bale për revistën GQ.

Bale pranoi gjithashtu se ka gjëra që ai do të donte të kishin shkuar ndryshe gjatë karrierës së tij, siç është udhëheqja e Uellsit drejt trofeut të Kupës së Botës.

Megjithatë, duke parë prapa në karrierën e tij, ai tha se kurrë nuk do ta kishte besuar suksesin që do të arrinte një djalë nga Cardiffi që vjen nga një familje normale.

"Kam arritur aq shumë në karrierën time saqë të luaja në Kupën e Botës ishte pothuajse gjëja e fundit që doja të arrija. Nuk po shkonim jashtëzakonisht mirë, por ishte hera e parë në 64 vjet”.

“Pas kësaj, nuk ndjeva se kisha ndonjë gjë tjetër për të arritur, për sa i përket objektivave", përfundoi Bale në një intervistë të gjerë të zhvilluar në fushën e golfit./Telegrafi/

telegrafi sport app