LAJMI I FUNDIT:

Galeria ka prekur fundin – të rregullohet situata, ose do të çohemi!

Galeria ka prekur fundin – të rregullohet situata, ose do të çohemi!

Kuratori dhe menaxheri i artit, Andi Tepelena, rrëfen keqmenaxhimin e Galerisë Kombëtare të Arteve dhe qëllimet e Ministrisë së Kulturës. Sipas tij, Ministria jep fonde për projekte fasadë dhe braktis artin në vend.

“Kur institucionet ndërpresin komunikimin me medien, publikun dhe grupet e interesit, do të thotë se kanë reshtur së ekzistuari”, thotë ai.


Tepelena i u bashkohet zërit të artistëve të tjerë, duke theksuar se “kyçja” e Ekspozitës Ndërkombëtare të Arteve Pamore “Onufri” (edicioni XIV), keqmenaxhimi i Galerisë Kombëtare të Arteve dhe mospërfillja e artistëve në fakt dikton se në vendin tonë nuk ka më demokraci.

Ai shprehet se Ministria e Kulturës ka reshtur së mbështeturi aktivitetet artistike në vendin tonë ndërkohë që shpenzon shuma të mëdha për aktivitete fasadë. Kuratori tregon mungesën e transparencës jo vetëm nga Ministria, por edhe nga GKA-ja për fondin që duhej të ishte alokuar “Onufrit” që në krye të këtij viti, por jo vetëm.

Mungesa e një kalendari artistik nga ana e Galerisë, sipas tij, shënon një nga ngërçet më të mëdha të këtij institucioni të heshtur.

Tepelena zbulon gjithashtu faktin se Galeria Kombëtare e Arteve ka nënshkruar një marrëveshje me Galerinë Kombëtare të Kosovës, sipas së cilës një artist nga Shqipëria, sikundër GKA mirëpriti artisten Flaka Halitin, duhet të ekspozonte në Kosovë. Diçka e tillë jo vetëm që nuk është bërë, por sipas komunikimeve që ai ka me Galerinë e Kosovës, nuk është në plan as për të ardhmen. Në një situatë të tillë kaotike, që ai e krahason me atë të Teatrit Kombëtar, ku vullneti politik për zgjidhje mungon, Tepelena shikon si të vetmen rrugë, reagimin dhe ngritjen e artistëve.

“Pra, jemi në një situatë ku mund të themi se Galeria ka prekur fundin e vet. Ose kjo situatë duhet të rregullohet, ose do të çohemi siç bëmë para tre vitesh. Vullnet politik nuk ka, pasi nëse do të kishte një zgjidhje do të gjendej”, thotë ai. /Shekulli/