Galatasaray siguroi titullin e 25-të të Superligës Turke pas fitores 3-0 ndaj Kayserisporit, duke u shkëputur me tetë pikë në krye të tabelës, dy javë para përfundimit të sezonit. Portieri Fernando Muslera shënoi një gol nga penalltia në fund të takimit, duke e vulosur festën e Galatasaray. 

Rivalët e përjetshëm, Fenerbahce, mbetën për herë të katërt radhazi në vendin e dytë, çka e shtoi edhe më shumë entuziazmin në radhët e tifozëve të Galatasarayt.


Festa në rrugët e Stambollit u shoqërua me skena ironie dhe provokimi ndaj Fenerbahces dhe trajnerit të përfolur, Jose Mourinho. 

Një grup tifozësh sollën një arkivol të zbukuruar me ngjyrat blu dhe të verdha të Fenerbahçes, duke vendosur mbi të imazhe të Mourinhos duke qarë. Në stadium, një banderolë gjigante ironizonte trajnerin portugez me përshkrimin: “Ndikuesi më i shtrenjtë në botë”. 

Klubi nuk mbeti pas në mediat sociale, ku postoi një video me mbishkrimin “I Vërteti” dhe pesë yje të artë mbi një sfond të kuq, në shenjë të arritjes si klubi i vetëm në Turqi me 25 tituj kampioni.  

Një tjetër postim tregonte një raft librash me titullin sarkastik “Ai që qan”, duke iu referuar Mourinhos. 

Edhe një video e krijuar me inteligjencë artificiale, e stilit “Back to the Future”, tregonte personazhet Marty McFly dhe Doc si tifozë të Galatasarayt që qeshnin me dështimin e Fenerbahçes. Ky humor digjital u bë viral ndër tifozët. 

Raportet e tensionuara mes Mourinhos dhe Galatasarayt shpërthyen në prill, kur pas një humbjeje në Kupën e Turqisë, ai iu afrua trajnerit Okan Buruk dhe ia shtrëngoi hundën, një gjest që ndezi polemika në opinionin sportiv. 

Megjithatë, Mourinho mund të mos ketë mundësi për t’u hakmarrë sezonin e ardhshëm. Ai po lidhet me një rikthim të mundshëm në Angli, me emrin e tij që përmendet si kandidat për Manchester United apo Leeds United. /Telegrafi/  

telegrafi sport app