Nata e fundit e fazës së ligës në Ligën e Kampionëve solli një nga momentet më dramatike të viteve të fundit, ndërsa Benfica siguroi kualifikimin në sekondat e fundit falë një goli të pabesueshëm nga portieri i saj.

Benfica po fitonte 3:2 ndaj Real Madridit deri në minutën e 98-të, por kjo nuk mjaftonte për të kaluar në fazën eliminatore. Për të siguruar vendin e fundit në play-off për raundin e 16-tave, portugezëve u duhej edhe një gol për të përmirësuar diferencën e golave.


Në momentin kur dukej se gjithçka kishte marrë fund, u shfaq portieri Anatoliy Trubin, i cili në sekondën e fundit shënoi golin vendimtar për rezultatin 4:2, duke e çuar Benfikën në fazën tjetër të garës.

Ky gol nuk u prit mirë nga të gjithë, pasi la jashtë garës Olympique de Marseille, që deri në atë çast po shpresonte të kualifikohej.

Gjigantët francezë ishin mposhtur 3-0 nga Club Brugge, por ende prisnin përfundimin e ndeshjes Benfica–Real Madrid, me shpresën se rezultati do t’i favorizonte.

Madje festa shkoi aq larg sa Club Brugge e përgëzoi Marsejën për kualifikimin në ekranin e madh të stadiumit, duke shkruar:

"Urime për kualifikimin, Olympique de Marseille", shkruhej në ekranin gjigant nga Club Brugge.

Megjithatë, belgët nuk e dinin se Benfica kishte ende kohë për të shënuar, dhe ky gjest xhentëlmenësh përfundoi duke u kthyer në një moment edhe më të dhimbshëm për tifozët dhe lojtarët francezë. /Telegrafi/

telegrafi sport app