Futbolli në Klinë: Ambient familjar e duartrokitje, por lojë pak – ndalesa dhe ankesa pa fund

U nisa nga Prishtina në shoqërinë e dy shokëve, për ta parë nga afër përballjen Dukagjini–Malisheva. Nën shoqëri të mirë ndeshja shijohet ndryshe, sidomos kur rruga të çon në një qytet ku futbolli është bërë zakon i fundjavës dhe jo thjesht 90 minuta.
Në Klinë mbërritëm herët, mjaftueshëm sa për ta ndjerë atë gjënë që stadiumet e vogla e kanë më shumë se të mëdhatë, afrimitetin.
“18 Qershori” të jep menjëherë përshtypjen e një ambienti që është i lidhur me komunitetin. Në tribuna nuk sheh vetëm grupe tifozësh, por familje të tëra me fëmijë, të rinj e të moshuar bashkë, me një kulturë përkrahjeje që nuk të bie në sy me ashpërsi, por me prani.

Diku mbi një mijë shikues, zhurmë e mjaftueshme për ta bërë stadiumin të “gjallë”, por edhe qetësi e mjaftueshme për ta kuptuar pse kjo hapësirë u pëlqen familjeve: pra futbolli.
Në sfond përkrahjet e tifozëve nuk pushonin. Jo ato ulërimat që vijnë e ikin, por një ritëm i vazhdueshëm përkrahje për klubin e zemrës.
Lojtarët po kryenin nxehjen, ndërsa fusha ishte e shkëlqyer ideale për futboll. Moti i kthjellët, temperatura ideale, gjithçka premtonte futboll.

Por kjo ndeshje nuk do të mbahej mend aq për lojën, sa për ndalesat, tensionin dhe dialogun e pandërprerë me gjyqtarët dhe futjen e mjekëve në fushë.
Një duel me histori edhe në bankina
Përtej tabelës dhe pikëve, kishte edhe duel tjetër: përballja në bankina mes Arsim Thaçit dhe Bylbyl Sokolit, dy trajnerë që riktheheshin përballë njëri-tjetrit pas debatit verbal të disa muajve më parë.
Një episod i vjetër, i lidhur edhe me të shkuarën e tyre te Drenica brenda të njëjtit sezon, që ende përmendet sa herë përplasen.
Dhe kjo u pa shpejt. Jo domosdoshmërisht në fushë, por në zonën e tyre, lëvizje, duar që ngriheshin shpesh, kërkesa për sqarime, ankesa për ndërhyrje dhe kontaktet fizike. Ishte një ndeshje ku të dy bankinat e jetonin çdo duel.

Loja që u ndal vazhdimisht, mjekët si “personazhi” kryesor - trajnerë që ankohen në vendime
Rëndësia e përballjes u kuptua që herët. Duele të forta në mesfushë, ndërhyrje në limite, aksione që nuk mbaronin nga presioni, por nga fishkëllima. Deri në minutën e 16-të, loja u ndërpre tri herë radhazi. Mjekët hynë në fushë, pastaj sërish, pastaj prapë. Dhe ky u kthye në model të ndeshjes.
Me kalimin e minutave ndalesat u bënë pjesë e “normalitetit”. Përplasjet në ajër, kontaktet e ashpra në mesfushë dhe rrëzimet pas goditjeve në kokë nga topi bënë që stafet mjekësore të futeshin në fushë 7-8 herë përgjatë takimit.

Edhe kur lojtarët ngriheshin dhe ktheheshin në pozicione, loja kishte nevojë për minuta të tëra për t’u kthyer në rrjedhë. Dhe sapo fillonte, një tjetër ndalesë e priste te këndi tjetër i fushës.
Tensioni i ndeshjes nuk rrinte vetëm në fushë, siç e e cekëm më lartë. Edhe në nisje të pjesës së dytë, kur një ndërhyrje e fortë ndezi bankinën e Malishevës. “Karate o bab, karate!” - dëgjohet zëri i Donart Vitijës së Malishevës, për ndërhyrjen e Tun Bardhokut.
Kartoni i verdhë u dha, por çdo kontakt shihej me "llupë" dhe çdo vendim i gjyqtarit Burim Jahmurataj, kishte ankesën nga pas.

Kartoni i kuq dhe fundi dramatik
Rreth minutës së 65-të erdhi edhe momenti që e ndryshoi balancën. Senegalezi Assane Diatta u përjashtua me kartonin e dytë të verdhë, duke e lënë Malishevën me një lojtar më pak.
Kur gjyqtari sinjalizoi vetëm pesë minuta shtesë, pavarësisht gjithë ndërprerjeve, në tribuna kishte komente, se duhej më shumë.
Dhe pastaj erdhi goditja e fundit. Malisheva shënoi në momentet vendimtare me Xhemajl Ibishin, duke e kthyer ndeshjen në favor të saj.

Një heshtje e shkurtër në “18 Qershori”, pastaj reagime të përmbajtura, jo shpërthime. Si të ishte një pranim i heshtur se futbolli ndonjëherë është i padrejtë në ndjesi, edhe kur është i drejtë në rezultat.
Malisheva e merr pozitën e tretë, që të çon në Evropë, por ka ende punë në pesë xhirot e mbetura. Dukagjini mbeti të kërkojë pikët e mbijetesës në javët në vazhdim, ndërsa mendje mbetet te finalja e Kupës së Kosovës, ku takohen me Ferizajn.
Kur doli publiku nga stadiumi, nuk kishte nervozizëm masiv. Ishte ai largimi tipik i një qyteti që e ka kthyer futbollin në zakon. Njerëzit ecin ngadalë, flasin për rastet që “huqën”, për ndalesat, për gjyqtarin, për minutat shtesë.
Shumë prej tyre besonin se ekipi i tyre “e kishte të paktën një pikë në dorë”.

Dhe prapë, ajo që të mbetet më shumë në mendje nga ky udhëtim në Klinë nuk është rezultati. Është atmosfera familjare, këngët patriotike para ndeshjes, dhe një ndeshje që u kujtua më shumë për gjithçka që e ndërpreu sesa për gjithçka që u luajt. /Telegrafi/





















































