Futboll, favoritët përjetuan fiasko

Prishtina në terrenin e vet u mposht nga Drenica për ta vërtetuar krizën e madhe të formës dhe të rezultateve të saja në stinorin pranveror. Mysafirët nga Skenderaj befasuan për të mirë duke shënuar nga një gol në çdo pjesë. Prishtina pa koncept të lojës u ndëshkua nga Drenica, e cila nga ky triumf u befasua edhe vetë. Mysafirët kaluan në epërsi në minutën e 14 me eurogolin e Maxhunit, i cili nga një pozitë e vështirë nga largësia me efe shënoi për ta ndëshkuar mbrojtjen statike të nikoqirëve. Drenica shenoi edhe një gol në pjesën e dytë nëpërmjet Zenelit në minutën e 87, i cili nga afërsia me kokë mposhti portierin prishtinas Nezirin e pafuqishëm duke vendosur epilogun përfundimtar Prishtina – Drenica 0-2. Me pak fat Drenica ka mundur të shenojë fitore edhe më bindëse sikur sulmuesit e kësaj skuadre t’i konkretizonin rastet e krijuara.
Pas takimit kryetarjneri i Prishtinës, gjermani Jarat, ishte shumë i zhgënjyer me prezantimin e skuadrës së tij.
“Drenica ishte më e mirë ka mundur të shënojë edhe 4-5 gola. Luajtëm dobët , ndërsa nesër do të ulemi për ta vlerësuar situatën nëpër të cilën po kalojmë”, ka thënë Jarat.
Nga ana tjetër kryetrajneri i Drenicës, Bylbyl Sokoli, ishte i kënaqur me rezultat por jo edhe me finalizimin e aksioneve.
“Është e pafalshme sjelljet të tilla të lojtarëve, të cilët lëshuan shumë raste për të shënuar edhe me shumë gola përballë mbrojtjes së dobët të nikoqirëve”, deklaroi Sokoli.
Përcjellësit më të afërt të liderit Drita dhe Trepça ’89 po ashtu pësuan humbje . KEK-u në Kastriot ndali Dritën duke e mundur me rezultat bindës 3-1. Gjilanasit krejt çka bënë në këtë takim ishte goli i epërsisë i cili e motovoi skuadrën nikoqire për sukses. Në vazhdim vendasit ishin shumë më të përqendruar shënuan tri herë dhe fituan me meritë. KEK-u pas kësaj fitore i mban gjallë shpresat për të mbijetuar, ndërsa Drita bëri një hap prapa në rrugëtim për titull të kampionit.
Keq kaloi edhe Trepça ’89. Në Prizren Liria mundi Trepçën ’89 me rezultat 2-0 për të konfirmuar se rezultatet e kësaj skuadre në drejtimin e Skender Shengylit nuk janë të rastit. Liria me këto pikë të reja është stabiluzuar shumë për t’u pozicionuar në mesin e skuadrave elite gjë që është edhe objektiv i kësaj skuadre me traditë. Mitrovicasit lëshuan rast ideal që shfrytëzojnë dështimet e dy të parave, Prishtinës dhe Dritës, duke iu bashkuar dështimit të skuadrave pretendete në këtë fillim të xhiros së 21 të Raiffeisen Sueprligës së Kosovës në futboll. /Telegrafi/




















































