LAJMI I FUNDIT:

Fushata “Bojkoto prodhimet serbe”, Piraj: Serbia na kërcënon e sjell tanke në kufi, ne po e pasurojmë atë

Fushata “Bojkoto prodhimet serbe”, Piraj: Serbia na kërcënon e sjell tanke në kufi, ne po e pasurojmë atë

Burim Piraj, prodhues vendor dhe nismëtar i fushatës “Besa-besë” për bojkotimin e produkteve serbe, bëri sërish thirrje që të mos konsumohen prodhimet e Serbisë.

Në një intervistë në emisionin “Përballje” në Telegrafi.com, Piraj tha se qëllimi i kësaj fushate është që të vetëdijesohet qytetari i Kosovës që të mos blejë produkte të cilat importohen nga fqinji verior.

Në këtë intervistë me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, ai tregoi se si erdhi deri te ideja për fushatën “Besa-besë”.

“Kjo nismë nuk ka qenë e çastit, pasi kohë të gjatë unë kam bërë fushatë për të mos blerë produkte serbe. Por, kur ishte reciprociteti i targave, kur Serbia na kërcënonte, e kam ndjerë vetën shumë keq që ne vazhdojmë t’i blejmë produktet serbe e ata sjellin tanke në kufi. Më kujtohet shumë mirë edhe ambasadori rus kur erdhi në veri dhe i lavdëronte forcat serbe”, deklaroi Piraj.

“E atëherë kam thënë se duhet ta hapin një grup në rrjete sociale e të bashkohemi dhe ta bëjmë një strategji. Ta bëjmë në mënyrë paqësore për ta njoftuar publikun e gjerë dhe për të ndikuar te qytetarët që ta kuptojnë thelbin e blerjes së prodhimeve serbe. Ndaj, më 24 shtator 2021 e kam publikuar grupin në Facebook dhe për çudinë time për një ditë me mijëra vetë janë bashkëngjitur e për një javë jemi mbledhur mbi 5 mijë vetë”.

Ai bëri të ditur se fillimisht këshilli organizativ i fushatës është përbërë nga 3-4 anëtarë që i ishin bashkuar të parët grupit, ndërsa aktualisht ka 15 anëtarë gjithsej.

“Kryesisht ata që janë bashkëngjitur të parët në grup më kanë përkrahur fillimisht dhe me ata kemi filluar ta bëjmë një këshill prej 3-4 anëtarësh ku jemi konsultuar se si të veprojmë, ndërsa tani jemi 15 anëtarë në këshillin organizativ. I gjithë qëllimi ka qenë që qytetari i Kosovës të vetëdijesohet se pse nuk duhet të blejë prodhime të Serbisë. Pra, të ju tregojmë në mënyrë paqësore e të mençur se çka duhet bërë për të mirën e atdheut tonë”.

Burim Piraj gjatë intervistës në emisionin “Përballje” në Telegrafi.com // Foto: Ridvan Slivova

Piraj gjithashtu tregoi se këshilli organizativ përbëhet edhe nga gazetarë, individë nga shoqëria civile e anëtarë të partive të ndryshme.

Ai tha se për t’u bërë pjesë e fushatës nuk ka rëndësi partia politike së cilës i përket, por vullneti për të kontribuar.

“Në këshill kemi anëtarë të partive të ndryshme politike. Ka gazetarë e individë nga shoqëria civile. Neve nuk na intereson se çfarë partie politike i përket individi që dëshiron të bëhet pjesë e fushatës. Na intereson vetëm vullneti për të kontribuar”.

Tutje, Piraj tha se në fillim kur është formuar grupi ka pasur dilema pasi njerëzit nuk e kanë ditur cili është qëllimi i tij i vërtetë.

Sipas tij, disa kanë menduar se po e bën për përfitimet e veta pasi edhe vetë është prodhues, megjithatë ai mohon ta ketë pasur këtë qëllim.

“Unë jam prodhues dhe kanë menduar se po e bëj për vete. Por, nuk e kam bërë. Nuk ka prodhime serbe që importohen në Kosovë e që janë të ngjashme me prodhimet e mia. Ky është fakt. Por, edhe sikur të kishte pasur, prapë do ta bëja”.

Në tetor të vitit 2022 sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, pati rritje të importit nga Serbia.

Kjo tha Piraj se ishte shumë dëshpërim për anëtarët e fushatës. Megjithatë, ai tregoi se akoma më seriozisht e vazhduan misionin pasi nga Dogana e Kosovës e kuptuan se rritja ishte në vlerë, por jo në sasi.

I pyetur se pse erdhi kjo rritje e importit, Piraj përmendi pandeminë dhe agresionin rus në Ukrainë si dy zhvillime që kanë çorientuar tregun.

“Ne kemi dalë nga pandemia dhe pastaj nisi lufta Rusi-Ukrainë, është krijuar një kaos në treg. Njerëzit kanë qenë të çorientuar, duke vrapuar pas vajit, miellit etj. Këtu ka ndikuar edhe propaganda se do të ketë mungesë të produkteve bazike e njerëzit kanë vrapuar për të blerë. nuk kanë pyetur se prodhim i kujt është. Kjo e ka bërë atë rritjen në vlerë të importit nga Serbia”. /Telegrafi/