LAJMI I FUNDIT:

Fuqia e fjalëve: Çfarë kanë të përbashkëta fjalimet e mëdha të Kingut, Kennedyt dhe Obamas?

Fuqia e fjalëve: Çfarë kanë të përbashkëta fjalimet e mëdha të Kingut, Kennedyt dhe Obamas?

Dy nga retorikët më të mëdhenj të historisë amerikane – Martin Luther King, Jr dhe Robert F. Kennedy – u vranë 53 vjet më parë. Fjalët e tyre rezonojnë edhe sot, shkruan Benjamin Ramm, transmeton Telegrafi.

Më 4 prill 1968, në ditës e vrasjes së Martin Luther Kingut, Robert F. Kennedy po bënte fushatë në Indiana për nominimin e demokratëve. Ai u njoftua për vdekjen e Dr. Kingut tek aterroi në Indianapolis, ku synonte të siguronte mbështetje. Në vend të kësaj, Kennedy mbajti një eulogji të jashtëzakonshme, nga traumat e tij personale – vrasjen e vëllait të tij pesë vjet më parë – dhe shkrimtarët klasikë që ndihmuan formimin e tij.

“Poeti im i preferuar është Eskili”, i tha Kennedy publikut, duke cituar një version të përkthimit të Agamemnonit të vitit 1930 nga Edith Hamilton: “Në gjumin tonë/ dhimbja që nuk harron/ bie pikë pas pike në zemër/ derisa, me vet dëshpërimin tonë/ kundër vullnetit tonë/ vjen mençuria/ nëpërmjet hirit të tmerrshëm të Perëndisë”!

Kennedy në të vërtetë e ngatërroi pak tekstin, duke zëvendësuar “pavarësisht” me “dëshpërim”. Siç ka shkruar Christopher S. Morrissey, është e vështirë të dihet “nëse ai gaboi qëllimisht, rastësisht ose pa dashje”, por fjalët e tij patën efekt të fuqishëm. Ndryshe nga 110 qytete të tjera të Shteteve të Bashkuara në të cilat pati trazira, turma në Indianapolis u shpërnda e qetë.

Mëngjesin pas vdekjes së Kingut, Kennedy foli në Cleveland të Ohios, për “kërcënimin e pamend të dhunës”. Ai dënoi jo vetëm dhunën e plumbit apo të bombës, por “dhunën e institucioneve; indiferencën dhe mosveprimin dhe rënien e ngadaltë”, si dhe tjetërsimin që na ndodhë teksa “i shohim vëllezërit tanë si të huaj: burra me të cilët ndajmë një qytet, por jo një komunitet; burra të lidhur për ne në ndërtesa të përbashkëta, por jo në përpjekje të përbashkëta”. Kingu kishte predikuar se ishte “i lidhur me veshjen e fatit”, ndërsa Kennedy shtroi metaforën: “Sa herë që shqyejmë materialin e jetës të cilën një burrë tjetër e ka endur me dhembje për vete e fëmijën, tërë kombi degradon”.

Pjesa tjetër e fjalimit të Kennedyt u karakterizua nga kjo: “Ne ndoshta mund të kujtojmë, vetëm për një çast, se ata që jetojnë me ne janë vëllezërit tanë; se ata ndajnë me ne të njëjtën lëvizje të shkurtë të jetës; se ata kërkojnë, si ne, asgjë tjetër pos shans për të jetuar jetët e tyre me vendosmëri dhe lumturi… Natyrisht se kjo lidhje e besimit të përbashkët, kjo lidhje e qëllimit të përbashkët, mund të nis të na mësojë diçka. Natyrisht që mund të mësojmë të paktën t’i shohim ata që na rrethojnë si miq dhe me siguri të fillojmë të punojmë pak më shumë për të lidhur plagët midis nesh dhe për t’u bërë përsëri, në zemrat tona, vëllezër dhe bashkatdhetarë”.

Kingu punoi për të krijuar atë që ai e quajti një “komunitet të dashur”, dhe shkroi për agapen, nocionin grek të “dashurisë pa interes”. Kjo është dashuria jo për përfitim personal, por “për armikun, fqinjin nga i cili nuk mund të presësh asnjë të mirë” – një bujari kjo radikale, një “papërgjegjshmëri e rrezikshme”. Ky angazhim ndaj atyre që janë armiqësorë ose të pakujdesshëm, të cilët nuk do ta kthejnë dashurinë tonë, mund të quhet “dashuri e vështirë”. Për Kennedyn kjo ishte jo dashuri siç përshkruhet në revistat e famshme… por “dashuria e vërtetë që është bujare dhe që përfshin sakrificën dhe dhurimin”.

Predikimi përfundimtar i Kingut, në Kishën Baptiste Ebenezer në Atlanta më 4 shkurt 1968, shpreh këtë “dashuri të vështirë”. Duke përshkruar se si do të dëshironte të falënderohej në varrimin e tij, King tha: “Dua që dikush të thotë, atë ditë, se Martin Luther King, Jr, u përpoq të donte dikë”!

Dyzet vjet më vonë, në Kishën Baptiste Ebenezer, Barack Obama nderoi trashëgimin e Kingut. Në fillimin e fushatës së tij të parë presidenciale, Obama reflektoi epokën e të drejtave civile në Selma të Alabamas, nga ku Kingu nisi marshin e lirisë më 1965. “Jam këtu sepse dikush marshoi. Jam këtu sepse të gjithë ju sakrifikoheni për mua. Qëndroj në supet e gjigantëve”. Ai shtoi se qytetarët janë katalizatorë të transformimit. “Jemi ndryshimi që kërkojmë”, “jemi ata që prisnim”. /Telegrafi/