LAJMI I FUNDIT:

“Ftohen” raportet me Beogradin

“Ftohen” raportet me Beogradin

Fletarrestet e Serbisë përmes INTERPOL-it, që çuan në ndalimin e disa figurave politike të Kosovës, së fundit edhe të liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në Bazel, kanë përkeqësuar edhe më shumë marrëdhëniet, edhe ashtu jo të mira, të Prishtinës me Beogradin.

Autoritetet e Kosovës kanë paralajmëruar masa reciprociteti në fusha të ndryshme në raport me Serbinë, pasi që ky vend në vazhdimësi, po vlerësohet se po provokon destabilizimin e Kosovës përmes veprimeve të ndryshme.


Duke u nisur nga rasti i fundit, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka shprehur shqetësimin e tij dhe të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e Haradinaj në Bazel, dhe procedurave që po zhvillohen atje, sipas fletë-arrestit dhe kërkesave shtesë të Serbisë.

Para kabinetit qeveritar, Mustafa ka deklaruar se Haradinaj është ndaluar nga autoritetet franceze në bazë të një fletë-arresti të motivuar politikisht dhe armiqësisht nga Beogradi.

Ndalimi i Haradinajt mbi bazën e fletë-arrestit serb, sipas kryeministrit Mustafa, është i papranueshëm dhe ka rikujtuar se Haradinaj tashmë e ka dëshmuar pafajësinë e tij dy herë në proceset gjyqësore në Tribunalin e Hagës.

Që nga ndalimi i Haradinajt nga policia franceze, Qeveria e Kosovës është përballur me presionet e shtuara të opozitës dhe shoqërisë civile për ndërprerjen e dialogut me Serbinë dhe vendosjen e masave të reciprocitetit në fushat ku Kosova ka mundësi ta bëj një gjë të tillë.

Si kundërpërgjigje e parë ndaj fletë-arresteve serbe, ishte vendimi i Qeverisë së Kosovës për të mos i lejuar vizitën në Kosovë, presidentit serb, Tomosllav Nikoliq. Ai po planifikonte që të qëndronte në Kosovë për Krishtlindjet Ortodokse.

Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, tha se autoritetet e Kosovës i janë nënshtruar një presioni të madh ndërkombëtar pas këtij vendimi.

Autoritetet në Prishtinë, u kanë drejtuar tashmë edhe letra zyrtarëve dhe vendeve të Bashkimit Evropian, ku, sipas tyre, sqarojnë obstruksionet që Serbia po u bën jo vetëm zbatimit të marrëveshjeve të dialogut të Brukselit, por edhe ndërhyrje tjera, siç ishte rasti me ndërtimin e murit në Mitrovicën veriore. Këto sjelle të Beogradit, sipas zyrtarëve në Prishtinë, duhet të marrin kundërpërgjigje adekuate nga Kosova.

Ndërkaq sa i përket dialogut, Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës nuk kanë ndryshuar pozicion dhe se bisedimet kanë mbetur ende në fuqi, me kërkesa të shtuara për ndryshimin e formatit, temave dhe përmbajtjes së tij në të ardhmen. /REL/