“Shprehim pakënaqësinë tonë për shkak të rrezikimit të punëtorëve shëndetësorë në vendin e tyre të punës në vazhdimësi. Rasti i fundit, i një dite më parë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, i kërcënimit fizik të punëtorëve shëndetësorë, është një lajm shumë i keq për shëndetësinë publike, dhe që ndikon edhe më shumë në përkeqësimin e kushteve të punës së stafit shëndetësor,” është shprehur të premten Asllan Bajrami, kryetar i Federatës.

“Ne i kërkojmë Shërbimit Policor të Kosovës, dhe të gjitha organeve të tjera qeveritare të sigurisë së vendit, sigurimin e plotë të punëtorëve shëndetësorë në vendin e punës sipas legjislacionit vendor por edhe sipas konventave ndërkombëtare”, ka theksuar Bajrami.

Ai ka thënë se Kryesia e FSSHK-së ka raportime të shumta për neglizhim dhe mos ofrim të mjaftueshëm të sigurisë ndaj punëtorëve shëndetësorë në vendin e punës. “Kjo është e patolerueshme për ne dhe duhet të kërkohet përgjegjësi”, tha Bajrami.

Gjithashtu Kryesia e Federatës ka shprehur shqetësimin për shfaqjen e gripit të derrave edhe në Kosovë. “Në emër të rreth 12 mijë anëtarëve të Federatës, punëtorë shëndetësorë, për arsye praktike dhe emergjente, kërkojmë që fillimisht të gjithë punëtorët shëndetësorë të vaksinohen kundër gripit A/H1N1. Kjo do të ishte masë e domosdoshme për mbrojtjen e stafit shëndetësor të cilët janë më të rrezikuarit në përballjen e tyre në vendin e punës me të infektuarit me këtë virus, por edhe një masë parandaluese për përhapjen e virusit. Ky do të ishte një veprim i ngjashëm me atë të disa vendeve të Bashkimit Evropian në luftën kundër virusit”, ka deklaruar Bajrami. /Telegrafi/