eksperti-banner

Ivanka Trump dhe bashkëshorti i saj janë të padëshiruar këtu: Përmes refuzimit të planeve për turizëm luksi në dy pika kyçe të biodiversitetit, shqiptarët po zbulojnë krenarinë për natyrën e tyre. BE-ja do të kishte shumë nevojë për europianë të tillë, shkruan gazeta prestigjioze gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

Kur dëgjon shprehjen “Adriatic Flyway“ (Rruga e Shtegtimit të Adriatikut), Ivanka Trump mbase do të mendonte për ndonjë nyjë të trafikut ajror ndërkombëtar - dhe nuk do ta kishte plotësisht gabim. Në këtë rrugëkalim tejet të mbingarkuar gjatë kulmit të sezoneve, udhëtojnë lejlekët e bardhë, dallëndyshet, bletëngrënësit dhe gushëkuqët, të cilët, varësisht nga stina, zhvendosen nga Europa Veriore dhe Qendrore drejt Afrikës apo anasjelltas. Përgjatë Adriatikut ata bëjnë ndalesa të shkurtra, kryesisht në një pjesë të bregdetit shqiptar që është aq “unbelievably beautiful“, saqë Ivanka Trump dhe bashkëshorti i saj, Jared Kushner, duan ta ndihmojnë atë “të shpalosë potencialin e vet“.


Kështu u shpreh vajza e ish-presidentit së fundmi, në një intervistë magjepsëse e plot servilizëm me një podkaster amerikan.

Megjithatë, shumë njerëz në Shqipëri mendojnë se laguna e Vjosë-Nartës dhe ishulli i pabanuar i Sazanit përballë saj, si pika kyçe të biodiversitetit dhe si vende prehjeje e folezimi për shpendët shtegtarë, pelikanët, flamingot dhe breshkat e detit, e shfrytëzojnë tashmë mjaft mirë potencialin e tyre.

Gjatë fundjavës, mijëra njerëz demonstruan sërish kundër planeve të çiftit dhe investitorëve të tjerë për të ngritur atje “hotele, resorte, qendra SPA dhe thjesht çdo gjë“, sipas përmbledhjes që vetë Ivanka Trump bëri në podkast. Fakti që Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) lëshoi po këtë fundjavë urdhërarreste për njëzet persona - disa prej të cilëve mund të jenë të lidhur me këto projekte - pritet ta rrisë edhe më shumë revoltën.

Lëvizja më e madhe protestuese në Shqipëri që nga vitet 90-të nuk drejtohet vetëm kundër një qeverie që ka aq shumë etje për turizmin e luksit si burim të ardhurash, saqë çdo gjë tjetër duket se nuk i bën përshtypje. Është e vërtetë që për një pjesë të demonstruesve bëhet fjalë për të drejtën që bregdetin e tyre të mrekullueshëm ta shfrytëzojnë vetë për turizëm, dhe jo t’ia lënë në dorë milionerëve amerikanë në turin e tyre të shopingut. Mirëpo, shumë prej shqiptarëve kryesisht të rinj, të cilët në Tiranë dhe qytete të tjera mbajnë lart tabela, tullumbace dhe kamerdare në formë flamingoje, po ngrihen për diçka tjetër: për natyrën si një pasuri dhe trashëgimi e përbashkët, ruajtja e së cilës të fal krenari dhe krijon një ndjenjë përkatësie.

Për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, vëmendja që është tërhequr mbi menaxhimin e zonave të mbrojtura nuk është aspak ndihmuese. Komisioni Evropian ka sinjalizuar se do të vëzhgojë nga afër se deri në çfarë mase do të respektohen këtu standardet mjedisore të BE-së, me të cilat Shqipëria do të duhej të përafrohej në rast anëtarësimi. Një ndryshim ligjor si ai i vitit 2024, i cili i mundëson shefit të qeverisë miratimin e projekteve të mëdha infrastrukturore në zonat e mbrojtura natyrore, sigurisht që nuk bën pjesë në këto standarde. Sidoqoftë, qasja për t'i parë rregullat mjedisore kryesisht si pengesë, po gjen terren aktualisht edhe brenda vetë BE-së. Prandaj, BE-së do t’i bënin mirë këta evropianë të rinj që luftojnë për natyrën për hir të vetë natyrës.