LAJMI I FUNDIT:

Franca gati për protestat historike të 1 Majit, gati një milion qytetarë do të dalin në rrugë

Franca gati për protestat historike të 1 Majit, gati një milion qytetarë do të dalin në rrugë

Pothuajse një milion njerëz mund të dalin në rrugëve të Francës, në protestat historike të 1 Majit kundër reformave të pensioneve në vend.

Sindikatat kanë njoftuar planet për Ditën Ndërkombëtare të Punës, për të treguar se nuk kanë hequr dorë nga lufta kundër reformës së qeverisë, transmeton Telegrafi.


Kreu i sindikatës CFDT, Laurent Berger, tha se sot pret një milion ose ndoshta gjysmë milioni demonstrues.

Ai shtoi se do të ketë “300 pika tubimi”. Autoritetet parashikojnë se midis 500,000 dhe 650,000 njerëz mund të dalin në rrugë në të gjithë vendin, duke përfshirë 80,000 deri në 100,000 në Paris.

Trafiku ajror pritet gjithashtu të ndërpritet, me 25-33 për qind të fluturimeve të anuluara në aeroportet më të mëdha të vendit dhe ndërprerjet mund të vazhdojnë në aeroportin Orly deri të martën.

Ky 1 maj është edhe dita e 13-të e mobilizimit kundër reformës së diskutueshme të pensioneve, pasi Këshilli Kushtetues i Francës miratoi një plan për rritjen e moshës minimale të pensionit nga 62 në 64 vjeç. Plani i presidentit Emmanuel Macron u fut në ligjin francez në prill.

Sondazhet e opinionit kanë treguar se popullariteti i tij ka rënë në nivelin më të ulët në katër vjet. Protestat priten edhe në vende të tjera evropiane, si në Portugali, ku marshimi vjetor pritet të përdoret për të tërhequr vëmendjen për çështje të tjera.

Muajin e kaluar, dhjetëra mijëra mësues dolën në rrugë për të kërkuar paga më të larta, ndërsa të tjerë protestuan për çmimet e banesave dhe koston e jetesës. /Telegrafi/