LAJMI I FUNDIT:

Fotografitë e bukura…. të vetmisë dhe mërzisë!

Fotografitë e bukura…. të vetmisë dhe mërzisë!

Më shumë se 50 vjet nga publikimi i “Dialogut me vetminë”, Michael-Oliver Harding analizon artin e fotografisë së autorit të kësaj vepre, Dave Heath. Pjesë të shkrimit të tij, Telegrafi sjell më poshtë.

Shumica e shkrimeve historike për SHBA-në e viteve 1950-60, hedhin dritë te bumi i pasluftës: pagat e larta, papunësia e ulët, revolucioni i Rock’n’Roll-it, të drejtat civile dhe jehonat e para të dashurisë së lirë dhe të fuqisë së luleve (hipikëve – v.j.). Por, nuk do të shihni asgjë nga këto te “Dialogu me vetminë” (1965), nga Dave Heath. Kuratori i dikurshëm i Galerisë Kombëtare të Kanadasë, James Borcoman, e ka cilësuar këtë si “Librin më të rëndësishëm nga një fotograf në vitet 1960”.

I ribotuar në vitin 2000, libri përmban 82 fotografi bardhezi të bëra mes viteve 1952-1962, që nga Nju-Jorku e deri në Koreja, të grupuara në variacionet e temave të vetmisë (anarki, varfëri, rini, raca etj.). Shpesh pa qenë të vetëdijshëm për praninë e fotografit, personazhet e Heathit duken të ndalur në kohë e të izoluar nga rrethi me njerëz – qoftë një polic pas një mbytjeje në Central Park ose dashnorët e rinj të përqafuar në metro. Heath bën portrete që zbulojnë intensitetin privat të këtyre të huajve, i zhytur thellë në mendimet e tij dhe në dëshirën e madhe për lidhje. Fotografitë e tij ofrojnë një dritare të rrallë në melankolinë dhe ankthin e amerikanëve të përditshëm.

Mjerisht, nuk është rastësi që Heath e kapte këtë ankth. I lindur në Filadelfia në vitin 1931, artistit autodidakt i mbeti traumë braktisja nga prindërit e tij, kur qe katër vjeç, dhe pastaj jeta nga një jetimore te një tjetër. Heath ka thënë se fotografia i dha atij mënyrën për të hyrë në botën ku do të kanalizonte këto trazira të pazgjidhura.

Stephen Bulger, galerist nga Toronto që e ka përfaqësuar atë për dy dekadat e fundit, beson se tregimi i Heathit për atë periudhë është më i sinqerti: “Kishte prosperitet të madh, por Dave nuk erdhi nga një sfond i pasur. Ishte i pasur në kreativitet, por jo materialisht… Në vend që të mposhtet nga spektakli i kohës, i përdori njerëzit që fotografonte si projektime të së vetes”.

Kolegët e përshkruan Heathin – që vdiq në vitin 2016 – si mjeshtër të dhomës së errët. “Është ai që e quajmë fotograf i fotografit”, thotë Bulger. “Ai çmohet nga koleksionistët, kuratorët dhe tregtarët që merren me fotografinë bardhezi”.

Heath nisi interesimin e tij për fotografinë, pas një momenti që e ka përshkruar si ndryshim jete: një shkrim në “Life” më 1947, për një jetimore. I frymëzuar nga mundësitë që jep ky medium – përtej reportazhit të thjeshtë – në fund të viteve 1940 nisi të ushtronte me objektivin 35mm tek këmbësorët e rëndomtë, klientët në panaire, apo pjesëmarrësit në parada të ndryshme të Filadelfias. Kur u ftua të shërbejë në Luftën e Koresë, e merr fotoaparatin dhe bën portrete meditive të ushtarëve tjerë.

Në vitin 1957 i dha fund izolimit të tij artistik duke u zhvendosur në Nju Jork, ku u etablua si artist serioz. Aty studioi tek pionieri i fotove-eseve, W Eugene Smith, dhe u shoqërua me artistë të njohur të fotografisë së rrugëve, si Garry Winogrand dhe Lee Friedlander. Ai gjithashtu merr bursa nga Fondacioni Guggenheim, që ia mundësoi udhëtimin nëpër SHBA në fillim të viteve 1960. Por, ndryshe nga kolegët që synonin të thyenin terren me fotozhurnalizëm, Heath ishte përcaktuar për ndjeshmërinë.

Në një intervistë të vitit 1987 ai tha se nuk e kishte “agresionin” për t’u bërë gazetar: “Djemtë e tjerë kishin një shtytje psikologjike, droja mua më frenonte. Mendoj se ka dallim midis introversionit të poetit dhe ekstroversionit të gazetarit. Kjo nuk do të thotë mirë apo keq; është çështje e karakterit. Gjatë viteve puna ime u bë më private dhe më e brendshme”.

Heath ishte person përherë i lënduar dhe arti i tij ishte formuar nga një dëshirë e zjarrtë për lidhje dhe një paaftësi kronike për të arritur atje. Në të njëjtin intervistë të vitit 1987, Heath ta se vetmia ishte forca e vetme lëvizëse në jetën e tij: “Besoj se të gjitha kthehen te humbja e nënës sime, te trauma emocionale”!

Heath gjithashtu u veçua nga të tjerët duke përqafuar mundësitë e panumërta krijuese të mediumit të fotografisë. Ai do të priste ose do të errësonte pjesë të një imazhi dhe do të përdorte metoda të pazakonta dhomës së errët, si djegia ose zbardhja për të tërhequr vëmendjen e shikuesve aty ku donte. Keith Davis, i cili organizoi retrospektivën e parë të madhe të punës së tij në Muzeun e Arteve të Filadelfias në vitin 2015, e përmbledh kështu artin e tij: “E bën një fotografi të një ngjarjeje të parëndësishme – një fëmijë i vogël bie dhe lëndon gjurin – por përmes psikikës së tij ekspresive e shndërron në diçka shumë më mitike dhe më të fuqishme”.

Si adoptues i hershëm i teknologjive, Heath realizonte vepra fotografike në forma të ndryshme. Por, pse është pak i njohur? Fotografi Chris Buck thotë se kjo ndodhi sepse nuk e materializoi momentin që ia dha “Dialogu me vetminë”: “Po të bënte më shumë vepra, do të ishte më i thellë edhe më personal. Por, ka përjetuar shumë dhembje e luftë në fëmijëri, saqë kishte frikë të shkonte në ato vende e të gërmonte thellë në dhembje. Po ta bënte këtë, do të kujtohej si Lee Friedlander”. /Telegrafi/