Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu ka falënderuar publikisht forcat komando për angazhimin e tyre të jashtëzakonshëm në përpjekjet për shuarjen e zjarreve që kanë përfshirë Shqipërinë ditët e fundit.

Në një postim të fundit, ai theksoi se këto forca të specializuara kanë qenë në frontin më të rrezikshëm, duke u pozicionuar në zona me akses thuajse të pamundur për të ndërprerë fronte flakësh.


“Mirënjohje për ajkën e forcës tonë, për të cilët asnjë sfidë nuk është shumë e madhe, dhe asnjë betejë shumë e vogël! Forcat Komando kanë qenë pjesë e përpjekjes gjithështetërore për shuarjen e flakëve”, ka shkruar Vengu.

Vengu vuri në pah se komandot kanë luajtur rol kyç në ndihmën që Shqipëria të marrë frymë gjatë kulmit të zjarreve, duke ndërprerë përhapjen e tyre në zona të vështira si Dropulli, Delvina, Fushë-Arrëzi, Tepelena, Tirana dhe Berati. /Telegrafi/