LAJMI I FUNDIT:

Fondi për Inovacione jep sqarime për firmat Thor Industries dhe Everest XhD

Fondi për Inovacione jep sqarime për firmat  Thor Industries dhe Everest XhD

Përmes një kumtese, Fondi për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik sqaron punën dhe mënyrën se si mbështeten projektet pas lajmeve se nipi i Ali Ahmetit ka fituar projekt nga ky fond i cili udhëhiqet nga BDI.

“Numri prej gati 1000 projekteve të mbështetura, me një vëllim investimi mbi 118 milionë euro, tregon se Fondi është shtëpia e vërtetë e të gjitha ndërmarrjeve inovative dhe motori kryesor për zhvillimin e ndërmarrjeve maqedonase. FIZHT është i vetmi institucion në vend që ka certifikatën ISO: 31007 për luftën kundër korrupsionit. Thirrja publike për dorëzimin e propozim projekteve për financim në kuadër të instrumentit mbështetës “Grante të bashkëfinancuara për zhvillim teknologjik për rritje të përshpejtuar ekonomike” u dedikohet ndërmarrjeve dhe institucioneve private shëndetësore, me qëllim të krijimit të kushteve për tejkalimin e pasojave të krizës ekonomike, për të arritur një rritje të përshpejtuar, për të rritur konkurrencën e tregjeve ndërkombëtare dhe rezistencën ndaj krizave pandemike dhe klimatike, përmes prezantimit të teknologjive të reja, inovative, të avancuara, të gjelbra dhe digjitale për transformimin e tyre”, thuhet në njoftimin e FIZHT.


OBRM-PDUKM: Fondi për Inovacione i ka ndarë para nipit të Ali Ahmetit
Lexo po ashtu OBRM-PDUKM: Fondi për Inovacione i ka ndarë para nipit të Ali Ahmetit

Ata shtojnë se të gjitha ndërmarrjet regjistruara kalojnë një proces para-seleksionimi të kryer nga tre ekspertë vendas nga 22 fusha të ekspertizës dhe se projektet vlerësohen sipas kritereve të përcaktuara: shkalla e inovacionit, cilësia e projektit të përgatitur, potenciali i tregut, kapaciteti i aplikantit dhe ndikimi i projektit.

“Të gjitha projektet që marrin një notë mesatare prej të paktën 51 pikë vazhdojnë në fazën tjetër. Përzgjedhja përfundimtare bëhet nga KMI (Komitetit të Miratimit të Investimeve), i përbërë nga 5 ekspertë botërorë. Kryetari i KMI (Komitetit të Miratimit të Investimeve) është Marvin Liao dhe ai është ish-CEO i Yahoo dhe ka investuar personalisht në mbi 400 startup-e”, thonë nga FIZHT.

Ata theksojnë se sipas Rregullores së instrumentit, mbështetja financiare nga Fondi është e rimbursueshme dhe kryhet në masën 7.5% të fitimit operativ të përfituesit, deri në realizimin e rimbursimit prej 105% të shumës së paguar nga Fondi, ose për një periudhë pesëvjeçare pas përfundimit të projektit, varësisht se cili kusht plotësohet i pari.

“Për sa u përket ndërmarrjeve të listuara: Thor Industries dhe Everest XhD, të cilat janë përfituese të mbështetjes financiare në kuadër të instrumentit “Grante të bashkëfinancuara për zhvillim teknologjik për rritje të përshpejtuar ekonomike”, pronari i njëjtë ka paraqitur edhe propozim projektе në kuadër të instrumenteve të tjera për mbështetje nga Fondi për Inovacionе dhe Zhvillim Teknologjik, por janë refuzuar nga Komiteti i ekspertëve ndërkombëtar. Kjo do të thotë se çdo ndërmarrje që nuk plotëson kriteret e pranueshmërisë së aplikantit dhe ka marrë një vlerësim negativ nga KMI nuk do të miratohet për financim nga Fondi për Inovacione dhe Zhvillimit Teknologjik”, thuhet në fund të njoftimit./Telegrafi/