“Flotilja refuzoi të vizitonte ishullin e Sazanit”, Rama: Revolucionarët e rrenave i ikën të vërtetës

Delegacioni i Global Sumud Flotilla, që mbërritën në portin e Vlorës të premten, 21 gusht, për të mbështetur protestën e Flamingove dhe mbrojtur ishullin e Sazanit nga investimi i Jared Kushnerit, janë pritur nga përfaqësues të Ministrisë së Kulturës dhe Turizimit sapo shkelën në tokën shqiptare.
Kryeministri postoi një video ku zëvendësministrja e Turizmit dhe drejtorja e Agjencisë Kombëtare të Turizmit i ftojnë të vizitojnë së bashku ishullin për të cilin kanë ardhur në Shqipëri për ta mbrojtur.
Por, siç pohon dhe drejtoresha e re e Agjencisë, Jola Hysaj, ata kanë refuzuar.
“Po kthehem nga Vlora, ku shkova personalisht në port për të pritur delegacionin e Global Sumud Flotilla. Por në port, epopeja digjitale u materializua në një duzinë njerëzish dukshëm të çoroditur, që ngjanin më shumë me një grup të arratisur nga shtëpia sesa me pararojën e revolucionit planetar të paraqitur në rrjetet sociale.
U pritën me respekt dhe me gatishmëri të plotë institucionale. U ofruam gjithashtu t’i shoqëronim për të vizituar Sazanin, ishullin për të cilin kishin dhënë tashmë një verdikt shumë të rëndë, duke arritur deri aty sa ta krahasonin me Gazën.
Nuk deshën.
Për habinë tonë, na thanë se kishin ndryshuar mendje dhe nuk shkuan në Sazan. “Po shkojmë t’i bashkohemi Revolucionit në Tiranë”.
Vetë kryeministri i quan “revolucionarët e rrenave”.
“Ehhhhh… këta revolucionarët e rrenave i ikin të vërtetës si djalli temianit, po ndërkohë çoroditën dynjanë me marrëzitë e tyre. Gjithsesi, një kompliment Agjencisë Kombëtare të Turizmit dhe Ministrisë së Kulturës e Turizmit për “pritën” e bukur që u bënë çlirimtarëve të Sazanit.”
Hysaj ndërkohë sqaron se, ndryshe nga sa janë keqinformuar të rinjtë e Flotiljes që iu bashkuan protestës, Sazani nuk është për shitje.
“Shteti nuk do të jetë shitësi i ishullit, por partneri i projektit të mundshëm. Pronësia e Sazanit do të mbetet publike dhe shteti do të marrë pjesë drejtpërdrejt në zhvillimin, kontrollin dhe përfitimet që do të gjenerohen. Po të kishin pranuar të shkonin në Sazan, do të kishin parë se ishulli nuk është nën rrethim. Po të kishin pranuar të dëgjonin, do të kishin mësuar se nuk ekziston asnjë marrëveshje. Po të kishin parapëlqyer faktet ndaj sloganeve, do të kishin zbuluar se Sazani është shëndoshë e mirë.”
Për Hysajn është e papranueshme që Sazani të krahasohet me Gazën, siç kanë deklaruar të rinjtë e Flotiljes që vjen nga Palestina.
“Këtu çdokush është i lirë të protestojë, por askush nuk duhet ta përdorë ferrin e përjetuar nga populli palestinez për të fabrikuar një emergjencë të rreme mbi një ishull që këta vizitorë as nuk deshën ta vizitonin. Rrugë të mbarë drejt Tiranës dhe argëtim të këndshëm me Revolucionin tuaj imagjinar!”/Tv Klan





































