Florian Wirtz ka mbërritur në Angli në prag të finalizimit të transferimit të tij rekord te Liverpooli, me një marrëveshje që kap vlerën e rreth 136 milionë eurove.

Ylli i Gjermanisë është parë duke mbërritur në Manchester, ku pritet t’i nënshtrohet testeve mjekësore përpara se të zyrtarizohet kalimi i tij në “Anfield”.


Marrëveshja përfshin një shumë bazë prej rreth 117 milionë euro, ndërsa me bonuset arrin në 136 milionë euro, duke e bërë atë nënshkrimin më të shtrenjtë në historinë e futbollit britanik.

Liverpooli ka fituar garën për 22-vjeçarin ndaj rivalëve të mëdhenj si Bayern Munich dhe Manchester City, të cilët gjithashtu kishin shfaqur interes të madh për mesfushorin sulmues.

Ky transferim tejkalon rekordin e mëparshëm, i cili mbahej nga Moises Caicedo (i transferuar te Chelsea për afro 134 milionë euro) – një tjetër objektiv i dikurshëm i Liverpoolit.

Finalizimi i plotë i marrëveshjes pritet në ditët në vijim. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app