Flokët e çrregullt po bëhen trendi më i nxehtë i sezonit. Ndiqeni këtë stil!

Këtë sezon, rregulli më i ri i flokëve është… mungesa e rregullit. “Messy hair” po bëhet sinonim i stilit dhe vetëbesimit
Me majat e shpupurishura dhe balluket e pakontrolluara, do të mendoje se modelet sapo janë zgjuar nga gjumi. Në sfilatat e vjeshtës 2025, ato parakaluan nëpër pasarela me flokë të çrregullt në çdo formë: kaçurrela të lira tek Miu Miu, bishta të shpejtë tek Prada, prerje “shaggy” tek Kenzo, onde të paqarta tek Stella McCartney, rrënjë të valëzuara tek Alexander McQueen, dhe volum të “elektrizuar” tek Chloé, për të përmendur vetëm disa.
“Ajo që e bën këtë stil modern është moskokëçarja ndaj perfeksionit”, shpjegon Guido Palau, stilisti që qëndron pas pamjeve “të çrregullta” në Prada, Miu Miu dhe Dolce & Gabbana. “Kur dukesh sikur nuk ke harxhuar kohë për t’u rregulluar, kjo i jep pamjes një lloj lehtësie dhe sigurie që është gjithmonë joshëse.”
Megjithatë, mos u mashtroni nga kjo pamje e pakujdesshme. Flokët më shik të çrregullt mund të japin përshtypjen e një qëndrimi të lirë, por nuk kanë të bëjnë me përtacinë. Ky stil nënkupton një grua me jetë dinamike, që s’ka kohë për t’u ndalur në banjë, një shpirt i lirë që sfidon standardet e ngurta të bukurisë. Ajo është tipi që ka vallëzuar gjithë natën dhe shkon direkt në zyrë, një vizionare që flokët e saj i mban “në rrëmujë”, por asnjëherë vetë.
Pamja është “e çrregullt në mënyrë të egër, por sërish e bukur dhe femërore”, shpjegon Palau, duke shtuar se flokët e çrregullt “na bëjnë të rimendojmë çfarë është vërtet bukuria”. “Kush mund të thotë se çfarë është e përkryer? Kjo lloj ‘rrëmujë’ është gjithmonë temë debati.”

Si ta arrini këtë pamje “messy”
Ideja është lehtësia dhe natyraliteti. Përdorni shkumë për flokë me teksturë të lehtë dhe spraj me kripë deti, thotë Gary Gill, stilisti i flokëve në sfilatën e Chloé. “Këto produkte mbështesin lëvizjen natyrale të flokëve, pa i rënduar. Motoja është: më pak është më shumë.”
Në Chloé, protokolli për të krijuar flokët me frizurë të lirshme ishte ky: spraj për teksturë, shkumë për volum, tharëse flokësh dhe një shtresë tjetër spraji. Për ta përfunduar me efektin “elektrizues”, Gill rrëshqiti një balonë nga rrënjët deri në maja, për të ngarkuar flokët me elektricitet statik. “Këto onde të lehta i japin një element shtesë pamjes, që të mos duket e stiluar me tepri,” thotë ai. “Duam që të jetë natyrale, me vëllim, jo e përpunuar.”

Në shtëpi, Guido Palau rekomandon një teknikë të thjeshtë, por efektive: “Spërkatni flokët me spraj teksturizues për t’i dhënë dendësi pa humbur lëvizjen natyrale. Pastaj, me furçë, krihni lehtë gjatë gjatësinë e flokëve për të shtuar statikë dhe ngritje.”

Ky trend i ri i flokëve të çrregullt, siç raporton Vogue, përfaqëson frymën e lirë, gruan që nuk kërkon miratimin e askujt për të qenë vetvetja. Flokët nuk kanë nevojë të jenë të përsosur për të qenë të bukur, mjafton të duken të gjallë, të lirshëm dhe me personalitet.

/Telegrafi/













































