Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka reaguar pas humbjes 0–3 në transfertë kundër Chelseat, në takimin e radhës të fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve.

Gjermani theksoi se ndeshja mori drejtim negativ që në momentet e para, kur skuadra humbi një rast të pastër për gol, ndërsa kartoni i kuq e komplifikoi edhe më tej situatën.


Sipas tij, pavarësisht disa elementëve pozitivë, katalanasit vuajtën shumë në ndërtimin e aksioneve dhe në ruajtjen e qetësisë me topin.

“Kishim një mundësi të shkëlqyer për të shënuar të parët, por nuk e konkretizuam. Më pas, të luash me një lojtar më pak kundër një ekipi si Chelsea nuk është aspak e lehtë. Luftuam, por humbëm topa të thjeshtë dhe bëmë pasime të pasakta. Duhet t’i analizojmë këto gjëra. Nuk e di sa minuta saktësisht luajtëm me dhjetë lojtarë, por ishte një kohë e gjatë. Chelsea është shumë e fortë me topin në zotërim. Duhet ta pranojmë, por edhe të shohim anën pozitive. E dimë që është e vështirë të futemi në top 8, por do të përpiqemi”, ka thënë Flick.

Pas kësaj ndeshjeje, Barcelona renditet në vendin e 15-të, ndërsa Chelsea mban pozicionin e 5-të në renditjen e përgjithshme të fazës së grupeve. /Telegrafi/

telegrafi sport app