LAJMI I FUNDIT:

Flasin librashitësit e Prishtinës, Ahmeti u premtoi subvencion (Video)

Flasin librashitësit e Prishtinës, Ahmeti u premtoi subvencion (Video)

Librashitësi Florim Beqiri, i cili punon që 20 vjet me shitjen e librave në kryeqytet një ditë më parë bëri jehonë me një postim të tij në “Facebook”, ku tha se është detyruar të lirojë çmimin e librave, për të paguar borxhin që kishte ndaj Komunës së Prishtinës.

Beqiri në një prononcim për Telegrafin tha se shuma e mjeteve që komuna ua ka caktuar librashitësve për të paguar për një muaj është vështirë e realizueshme për ta pasi nuk ka shumë shitje të librave.


Ai tregoi se kanë kërkuar takim me zyrtarë komunal para se ta bëj publik postimin në Facebook mirëpo nuk kanë hasur në mirëkuptim.

Pasi postimi i tij bëri jehonë, ai tha se u pritën nga kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili premtoi subvencione.

“Sa i përket postimit në Facebook, gjithçka që kam thënë është e vërtetë. Ne jemi të obliguar që të paguajmë një shumë mujore, prej 40 euro. Mirëpo, ne nuk mund të bëjmë aq shumë shitje që të mbulojmë atë obligim që e kemi ndaj Komunës. Neve na u kanë grumbulluar tetë muaj, sepse autoritetet e Komunës nuk na kanë ofruar për tetë muaj të bëjmë pagesat. Na e kanë sjellë shumën në total. Kjo shumë ka qenë shumë e madhe.

Asnjëri s’jemi në pozitë të mirë materiale. Kemi kërkuar nga autoritetet e komunës që të bëjmë zgjidhje, por s’kemi has në mirëkuptim. Dje na janë lajmëruar duke na thënë që është dita fundit që të kryejmë pagesën, përndryshe siç na shënon në kontratë ne duhet t’i lëshojmë shtëpizat e librit. Këtu duhet të cekim se këto shtëpiza janë donacion i Qeverisë Zvicerane. Sot ishim tek kryetari Shpend Ahmeti. Biseduam por, asgjë nuk u arrit që ne ta kemi me shkrim por, na premtoi që do të na gjej një formë për subvencionim”, ka sqaruar Beqiri.

Ai po ashtu tha se nuk do të ndalet së punuari me shitjen e librave, pasi librat siç thotë ai janë jeta e tij.

Mirëpo, sa i përket deklaratës së tij se do t’i shesë librat për 1 euro në mënyrë që ta paguajë borxhin ndaj komunës, tha se është tërhequr pasi këtë gjë ia ka kërkuar edhe i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

“E deklaroj publikisht, që unë nuk do të ndalem sepse jeta ime i takon librit. Që 20 vite punoj me libra. 15 vite punoj në qiell të hapur, duke e dëmtuar edhe shëndetin. Pasi kemi biseduar me autoritetet e komunës, me Shpend Ahmeti ai tha që do të shoh si do të t’ia me punën e pagesë dhe na u lut që t’i sheshim librat me çmimin që e kemi pas çdo ditë”, deklaroi ai.

Përderisa, Beqiri tregoi për Telegrafin problemin e tij shumë blerës e rrethuan kioskën e tij për të blerë një apo më shumë libra, duke dashur që ta ndihmojmë këtë njeri për t’ia paguar borxhin komunës.

Kushtrim Rexha, bleu 50 libra, ndërkaq tha se do të blinte edhe të tjera. Ai për Telegrafin tha se është blerës i rregullt i librave tek Florimi dhe blerja që po e bën ai sot është si rezultat i ndihmës që dikur Florimi iu ka bërë studentëve kur nuk kanë pasur shumë para për të blerë një libër.

“Jam blerës i rregullt. Prej studimeve e mbaj mend Florimin, që kur ky ka shpreh gatishmërinë me na huazu libra që ne me mujt me lexu në atë kohë kur ne nuk kishim pare me i ble. Është një prej shitësve të mrekullueshëm të librave. Shumë shpesh na ka dhënë me i bo kopje aty ku na janë dashur. Tash po du me një grup njerëzve të ndryshëm, Florimit me ia ble një pjesë të librave dhe donatorë të ndryshëm. Më vonë do të shikojmë mundësinë që t’ia paguajmë edhe pjesën tjetër të qirasë”, ka thënë Rexha.

Ahmeti: Librashitësit nuk do të largohen, do të gjejmë mënyra për përkrahjen e tyre
Lexo po ashtu Ahmeti: Librashitësit nuk do të largohen, do të gjejmë mënyra për përkrahjen e tyre

Edhe një tjetër qytetare, Hatixhe Begaj, shprehu interesim për t’i ndihmuar librashitësit për të blerë ndonjë libër.

“E pash në Facebook që po donë me i shit për shkak se nuk ka kushte për ta paguar qiranë, e kam ardhur pak t’i ndihmoj”, u shpreh ajo.

Problemin e njëjtë si të Florim Beqirit, e ka edhe librashitësi tjetër Nasuf Zena, i cili për Telegrafin tha se edhe pse shuma që ia kanë obligim komunës është simbolike, ajo shumë është shumë e madhe për ta.

“Ka bërë shumë mirë ky kolegu e ka parashtruar këtë problem. Kjo është një shumë, ndoshta simbolike mirëpo, kushtet tona dhe punën që e bëjmë ne, sa fitojmë ne…Mund të ndodh që edhe dy-tri ditë nuk shesim asnjë libër, prandaj për ne çdo ngarkesë është më të vërtetë ngarkesë. Punë nuk kemi fare, komuna ka bërë përpjekje, na i ka siguruar këto kioske. Tash nuk po na rrok shiu, bora. Përpara kemi qenë të liruar, por tash prej që na i kanë pru këto kioska na kanë ngarkuar”, ka sqaruar Zena.

Ai tha se pas takimit që patën me kryetarin e komunës shpreson që do t’i lirojë nga pagesa mujore.

“Sot e patëm një takim, frytdhënës që do të na ndihmoj. Shpresoj që do të na liroj nga tatimi. 40 euro është qiraja që ne duhet t’ia paguajmë komunës e nuk mund t’ia paguajmë”, tha Zena.

Librashitësi Zena tregoi po ashtu se më këtë punë ai mban familjen e tij.

“Jemi qytetarë të këtij vendi, asnjë anëtarë i familjes nuk më punon askund. Fëmijët i kam në shkollë, gruan pa punë. As vet nuk e di se si ekzistojë. Nuk kam asnjë burim, si 90 për qind e popullatës ekzistoj dhe unë, që as vet nuk e di se si ekzistoj”, shpjegoi situatën ekonomike në të cilën ndodhet Zena. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Komuna e Graçanicës me standarde të dyfishta, Gashi: Shqiptarët po përjashtohen nga lejet e ndërtimit

Komuna e Graçanicës me standarde të dyfishta, Gashi: Shqiptarët po përjashtohen nga lejet e ndërtimit

Jehona Hulaj
Escobar për anëtarisimin e Kosovës në KiE: Kemi dëgjuar se ka shqetësime për Asociacionin

Escobar për anëtarisimin e Kosovës në KiE: Kemi dëgjuar se ka shqetësime për Asociacionin

Lajme
ShBA-të mirëpresin vendimin për kalimin nga patentë shoferët ilegal në RKS

ShBA-të mirëpresin vendimin për kalimin nga patentë shoferët ilegal në RKS

Lajme
Kurti: Kushtëzimi i anëtarësimit në KiE me Asociacionin është absurd

Kurti: Kushtëzimi i anëtarësimit në KiE me Asociacionin është absurd

Lajme
Kusari-Lila e shqetësuar pasi i akuzuari që e kanosi arrin marrëveshje me prokurorinë për pranim të fajësisë

Kusari-Lila e shqetësuar pasi i akuzuari që e kanosi arrin marrëveshje me prokurorinë për pranim të fajësisë

Lajme
Deputeti gjerman: Ndërlidhja e Asociacionit me anëtarësimin e Kosovës në KiE do të ishte gabim i rëndë, shtetet perëndimore nuk mësuan nga gabimet e së kaluarës

Deputeti gjerman: Ndërlidhja e Asociacionit me anëtarësimin e Kosovës në KiE do të ishte gabim i rëndë, shtetet perëndimore nuk mësuan nga gabimet e së kaluarës

Lajme
Kalo në kategori