LAJMI I FUNDIT:

Flamuri me të cilin u shpall Republika e Korçës

Flamuri me të cilin u shpall Republika e Korçës

Frederik Stamati, mjeshtri i restaurimi, rrëfen shkurt për historinë e flamurit me të cilin Themistokli Germenji shpalli Republikën Shqiptare Vetëqeveritare të Korçës.

“Më 10 dhjetor 1916 u nënshkrua një protokoll zyrtar midis përfaqësuesve shqiptarë të kryesuar nga Themistokli Gërmenji dhe kolonelit Dekoen (Henri-Vincent Descoins – v.j.), komandanti francez i zonës së Korçës, sipas të cilit zona e Korçës shpallej krahinë autonome. Në një nga pikat e protokollit përcaktohej edhe flamuri i krahinës autonome, që do të ishte flamuri shqiptar në të cilin do të bashkëngjitej një shirit me të tria ngjyrat e flamurit francez. Po atë ditë në ballkonin e ndërtesës së famshme, kati i dytë i së cilës u shemb misteriozisht ca kohë më parë, u ngrit nga Themistokli Gërmenji flamuri shqiptar. Flamuri qëndroi gjatë në ballkonin e shtëpisë ku u ngrit. Kur u largua nga Korça, francezi Dekoen e mori flamurin me vete, për ta kthyer më vonë kur në Shqipëri të krijoheshin mundësitë për ta vendosur në muze. Për këtë bisedoi paraparakisht edhe me përfaqësuesit e Korçës”, thekson Stamati.

Sipas tij, në vitin 1922 filloi së funksionuari Muzeu Kombëtar.

“Drejtori i muzeut i dërgoi një letër Dekoenit me kërkesën për ta kthyer flamurin. Pati një korrespondencë të gjatë zyrtare, derisa u vendos që flamuri të kthehej në Shqipëri. Atë e solli në dhjetor të vitit 1922 Justin Godart”, shprehet Stamati.

Stamati tregon se puna për identifikimin e tij mori më shumë se 20 vjet.