LAJMI I FUNDIT:

FKGK dhe SIDA nënshkruajnë marrëveshjen e garancisë në vlerë 14,9 milionë euro

FKGK dhe SIDA nënshkruajnë marrëveshjen e garancisë në vlerë 14,9 milionë euro

Fondi Kosovar për Garanci Kreditore dhe Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Zhvillim (SIDA), përfaqësuar nga Ambasada e Suedisë në Kosovë kanë nënshkruar marrëveshjen e garancisë në vlerë 14,9 milionë euro.

Në këtë ngjarje ishin të pranishëm përfaqësues nga Qeveria e Republikës së Kosovës; Banka Qendrore e Kosovës, Agjencioni Suedez për zhvillim dhe bashkëpunim ndërkombëtar – SIDA, Ambasada e Suedisë në Kosovë, përfaqësues të USAID-it, KfW, Bankës Botërore, bankave komerciale, institucioneve mikrofinanciare, etj.


Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari tha se MINT që nga fillimi ka qenë pjesë e themelimit të FKGK-së, ka kontribuar në hartimin e ligjit dhe në kapitalin themeltar të FKGK-së.

“Ky instrument financiar ri garantues është një mundësi më shumë për të adresuar nevojat e ndërmarrjeve private në Kosovë për qasje në financim e cila ka në fokus rritjen e mundësive për investime të gjelbra, ndërmarrjet në pronësi apo të udhëhequra nga gratë, si dhe ndërmarrjet eksportuese.

Për më tepër jam e lumtur që zgjerimi FKGK-së dhe rritja e portofolit të kredive për NMVM-të, është vlerësuar si arritje edhe në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian”, tha ajo.

Ndërkaq, ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund tha “përpjekjet tona të përbashkëta me Garancinë synojnë arritjen e 55 milionë euro investime, krijimin e 2700 vendeve të reja të punës, rritjen e barazisë gjinore në sektorin e biznesit dhe kalimin në një ekonomi më të gjelbër”.

E guvernatori i Bakës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili tha se rritja e vazhdueshme e kapitalit të FKGK-së kombinuar me skema rigarantuese, duke përfshirë edhe marrëveshjen e sotme të rigarancionit ndërmjet FKGK-së dhe Agjencisë Suedeze për Zhvillim ndikon në zgjerimin e qasjes në financa, rritjen e konkurrencës, zvogëlimit të hendekut të financimit me kushte konkurruese, ruajtjen e nivelit të kredive jo-performuese dhe të stabilitetit financiar e që janë edhe në përputhje me strategjinë dhe mandatin e BQK-së.

“BQK-ja e konsideron FKGK-në si një mekanizëm shumë të rëndësishëm për të mirëmbajtur dhe avancuar edhe më tej objektivin për sistem financiar stabil, me ndikim në mbështetje të ekonomisë. Prandaj, edhe bashkëpunimi do të fuqizohet në interes të zbatimit të këtyre objektivave”, tha ai.

Ndërkaq, lidhur me marrjen e nënshkruar u deklaruan edhe Fondi Kosovar për Garanci Kreditore.

“Jemi të lumtur që sot nënshkruajmë marrëveshjen me Agjencinë Suedeze për Zhvillim – Sida, si dy partnerë që forcojnë edhe më tutje bashkëpunimin për të mirën e ekonomisë së vendit.  Kjo ngjarje vërteton përkushtimin e institucionit tonë për të nxitur rritjen ekonomike dhe qëndrueshmërinë në Kosovë, të plotësuar me mbështetjen e vazhdueshme të Sida-s.

Marrëveshja e nënshkruar sot shënon bashkëpunimin tonë të dytë me Sida-n që nga viti 2018, kur marrëveshja fillestare me vlerë 10 milionë euro u realizua me sukses duke mundësuar kredidhënie rreth 40 milionë euro. Marrëveshja e garancisë e finalizuar sot, në vlerë 14.9 milionë euro, shërben si dëshmi e mëtejshme e angazhimit tonë për të garantuar kredi për NMVM-të. Kjo marrëveshje parashikohet të lehtësojë qasjen në financa për NMVM-të duke u  mundësuar një kredidhënies deri në 55 milionë euro”, thanë përfaqësues të FKGK-së.

Në njoftim bëhet e ditur se mundësitë e ofruara nga Marrëveshja e Ri-garancisë e nënshkruar sot do të hapin rrugën për ofrimin e kushteve më të favorshme për kredi të rigarantuar përmes dritareve të FKGK-së si: “Dritare për gratë në biznes”; “Dritarja e eksportit” dhe “Dritarja GROW”. /Telegrafi/