Fjala “Stan” hyn në Fjalorin e Oxfordit falë hitit të Eminemit me të njëjtin emër (Video)

Pas 17 vitesh nga publikimi i hitit “Stan”, Fjalori i Oxfordit i gjuhës angleze e ka përfshirë fjalën “stan” në bazën e vet të të dhënave.
“Stan” është lansuar më 9 dhjetor të vitit 2000 dhe ishte kënga e tretë e Eminemit nga albumi i tretë i tij, “The Marshall Mathers LP”, e cila përmban pjesë të këngës “Thank You” të Didos, ashtu që këngëtarja angleze është pjesë e këngës.
Në këtë këngë, reperi flet për një fans të obsesionuar, i cili vret veten dhe të dashurën shtatzënë për t’ia tërhequr atij vëmendjen – një ngjarje e ngjashme me atë që përshkruhet në këngën “97 Bonnie&Clyde” nga albumi “The Slim Shady”.
Fjalori i Oxfordit e ka njohur fjalën “stan” si emër që nënkupton një fans të fiksuar ndaj ndonjë personaliteti të njohur. Si folje, “stan” nënkupton admirim të obsesionues dhe të tepruar ndaj një personaliteti të njohur.
Revista Q e ka renditur këngën “Stan” si këngën e tretë më të mirë rep të të gjitha kohërave, ndërsa kjo këngë është e 290-ta në listën e 500 këngëve më të mira në histori sipas revistës Rolling Stone. /Telegrafi/























































