Fitojnë favoritët në Ligën e Parë: Trepça ’89 e mposht në derbi Feronikelin ‘74

Është mbyllur edhe xhiro e 12-të në Ligën e Parë, ku favoritët nuk gabuan për t’i marrë pikët e plota, derisa derbi mes Trepçës ’89 dhe Feronikelit i takoi mitrovicasve.
Trepça ’89 e mposhti rivalin direkt në garën për titull Feronikelin, me rezultat të ngushtë 3-2, kësisoj edhe ia zë pozitën e tretë në tabelë.
Ndërkohë, dy favoritët si Vushtrria dhe Vëllaznimi i Gjakovës sërish i fituan pikët e plota.
Lideri aktual, Vushtrria e mposhti bindshëm në udhëtim 2 Korrikun me rezultat 1-4, derisa klubi nga Gjakova me mund fitoi ndaj Rilindjes (2-1).
Në anën tjetër, Suhareka regjistroi gjithashtu fitore në udhëtim te Kika 2-3, kurse Trepça fitoi ndaj Tefik Çanga (3-2).
Dinamo Ferizaj e mposhti Besën e Pejës (1-3), kurse Istogu e demoloi KEK-un me rezultat të thellë 6-0.
Fitore shënoi edhe Liria e Prizrenit në udhëtim te Ramiz Sadiku (0-1), kurse Prizreni pësoi humbje befasuese në shtëpi nga Vjosa (0-1).
Kësisoj, pas xhiros së 12-të – Vushtrria mbetet lider me 25 pikë, një mbi Vëllaznimin kurse Trepça ’89 e Feronikeli ’74 mbesin me 23 sosh./Telegrafi/


















































