LAJMI I FUNDIT:

Finlanda përsëri vendi më i lumtur në botë, Kosova e 46-ta (Video)

Finlanda përsëri vendi më i lumtur në botë, Kosova e 46-ta (Video)

Raporti vjetor i Lumturisë Botërore përsëri konfirmon se katër nga pesë vendet nordike janë më të lumturat në botë.

Finlanda e cila kryesoi pozitën nga viti i kaluar, edhe sivjet është e para dhe pasohet nga Danimarka, Norvegjia dhe Islanda, ndërsa Holanda iu bashkua pesë vendeve të para. Zvicra, Suedia, Zelanda e Re, Kanadaja dhe Austria përbëjnë listën prej 10 vendeve të para.


Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjenden në pozitën e 19-të, ndërsa Britania e Madhe është në pozitën e 15-të.

Prodhimi i Brendshëm Bruto për kokë banori, mbështetja sociale, jetëgjatësia, liria për të bërë zgjedhje në jetë, bujaria dhe niveli i korrupsionit, janë faktorët që përcaktojnë mesataren nga anketa e realizuar nga Gallup, përcjell Telegrafi.

Finlanda renditet mirë në të gjithë faktorët, por veçanërisht për bujarinë.

Instituti i Kërkimeve të Lumturisë me bazë në Kopenhagë, thekson se Finlanda kryeson listën e lumturisë, pavarësisht se nuk ka Prodhim të Brendshëm Bruto më të lartë se sa vendet e tjera nordike.

Raporti thotë se vendet që përmirësojnë angazhimin qytetar duke e bërë qeverinë e tyre më përfaqësuese, do të jenë më të lumtura. Popullatat më të lumtura kanë pjesëmarrje më të madhe të votuesve, ndërkohë që ndarja politike dhe rënia e besimit shoqëror reduktojnë lumturinë.

Sipas raportit, Kosova është vendi i 46-të më i lumtur në botë dhe për sa i përket ndryshimit në rritjen e renditjes, vendi ynë gjendet në pozitën e 16-të që kryesohet nga Benini. /Telegrafi/