LAJMI I FUNDIT:

Filmi më i madh që nuk u bë kurrë

Filmi më i madh që nuk u bë kurrë

Një ide e regjisorit Stanley Kubrick po cilësohet si filmi më i madh i papërfunduar i të gjitha kohërave, shkruan kritiku Nicholas Barber. Shkrimin e tij, Telegrafi e sjell të plotë më poshtë.

Ekspozita “Stanley Kubrick” e hapur në Muzeun e Dizajnit në Londër, e analizon realizimin e çdo filmi të regjisorit të jashtëzakonshëm. Por, pjesa hyrëse i kushtohet një filmi që Kubricku nuk e bëri: biopiku për Napoleon Bonapartin. Sado e çuditshme të duket kjo, tifozët e Kubrickut janë të dhënë pas “Napoleonit” – që këtu përdoret si titull pune – siç janë për çdo gjë tjetër në veprimtarinë e tij mahnitëse. Kritikët po e cilësojnë këtë si filmi më i madh i papërfunduar i të gjithëve.


Për më tepër, historia se si “Napoleoni” ishte gati po nuk u bë, ilustron ambicien e lartë të Kubrickut, kureshtjen e tij të etshme intelektuale dhe planifikimin obsesiv.

“E vendosëm ekranin para, sepse është ilustrim i bukur i procesit”, thotë Adrienne Groen, bashkë-kuratorja e ekspozitës. “Mund të shihni metodat dhe sasinë e materialit që mblodhi para se të niste punën”.

“Dhjetë regjisorët më të mirë të 100 viteve të fundit”
Lexo po ashtu “Dhjetë regjisorët më të mirë të 100 viteve të fundit”

Ekspozita përbëhet nga fotografitë, nga skicat dhe dokumentet, midis të cilave një letër nga Audrey Hepburn që hedh poshtë rolin e gruas së Napoleonit, Jozefinës (Joséphine de Beauharnais). David Hemmings ishte zgjedhja e regjisorit për rolin kryesor. Ndërsa, është një koleksion i 276 librave për perandorin francez, përfshirë edhe biografinë e Felix Markhamit që është sqaruar me fusnota, nënvizime dhe shënime: “Kush e vrau carin Pal? Si funksiononte tamam politika”? Më intriguesja nga të gjitha është kabineti prej druri me kartoteka, të cilin bashkë-kuratori i Groenit, Deyan Sudjic, e quan “Wikipedia analoge”.

“Zgjidheni cilëndo ditë në jetën e Napoleonit, hapeni sirtarin e duhur, merre kartën përkatëse dhe aty ka informacione që mbulojnë gjithçka”, thotë Sudjic, “që nga ato që ai kishte ngrënë për mëngjes e deri te ajo që Jozefina kishte veshur në darkë”.

Por, ekspozita e Muzeut të Dizajnit paraqet veç një “pjesë të vogël” të koleksionit të Kubrickut për “Napoleonin”.

Në mesin e materialeve të ekspozuara në Muzeun e Dizajnit, është një letër e shkruar nga aktorja Audrey Hepburn, që hedh poshtë rolin e gruas së Napoleonit

Gjithçka nisi teksa ai po e përfundonte kryeveprën e tij të fantashkencës, “2001: A Space Odyssey” (1968), kur vendosi që subjekti i ardhshëm, sipas fjalëve të tij, të ishte “një nga ata burrat e rrallë që lëvizin historinë dhe formojnë fatin e kohës së tyre dhe të gjeneratave që vijnë”. I dërgoi studiuesit në të gjithë Evropën për të hasur në gjurmët e Napoleonit. Një nga ata studiues ishte kunati dhe producenti ekzekutiv, Jan Harlan.

Pesëdhjetë vjet pas: “2001: Odiseja hapësinore”, një mister për njerëzimin!
Lexo po ashtu Pesëdhjetë vjet pas: “2001: Odiseja hapësinore”, një mister për njerëzimin!

“Isha në Cyrih më 1968 dhe 1969”, thotë Harlan, tani 82 vjeç, “duke kërkuar materiale, libra dhe vizatime, gjithçka që mund të gjeja për periudhën nga Revolucioni Francez e deri në Kongresin e Vjenës më 1815. Njerëzit tjerë udhëtuan për javë të tëra nëpër Gjermani, Francë dhe Mbretërinë e Bashkuar, për të njëjtin mision”.

Asnjë detaj nuk ishte i parëndësishëm për Kubrickun, qoftë ngjyra e tokës në një fushëbetejë e deri te forma e gozhdës në patkua.

“Ai e donte studimin dhe hulumtimin”, thotë Harlan. “Parapërgatitja ishte kënaqësia e tij, ndërsa bërja e filmit ishte domosdoshmëri”.

Në vitin 1969, Kubricku e përmbushi hulumtimin dhe studimin në një skenar prej 148 faqesh. Siç thotë Harlani, “skenarët e tij shpesh ishin më të ndryshëm se filmi përfundimtar”. Por, është e qartë se biopiku nuk do të kufizohej vetëm te një pjesë e jetës së Napoleonit, por se do ta ndiqte që nga lindja e tij në Korsikë më 1769, e deri në vdekjen e tij në ishullin e largët të Shën Helenës më 1821. Theksi do të ishte te betejat që Kubricku i quante “balete masive vdekjeprurëse”, si dhe dashurinë e Napoleonit për Jozefinën, “një nga pasionet më të mëdha të të gjitha kohërave”. Kryesorja, filmi nuk do të ishte një “maskaradë historike”, por evokim autentik i jetës siç ishte në shekujt XVIII dhe XIX.

Bërja e një filmi si ky për “tetarin e vocërr” ishte detyrë e madhe, por Kubricku dukej i qetë kur e diskutonte në intervista. Produksioni, i tha ai një gazetari, do të marrë kohë “dukshëm më pak” sesa “2001”-shi. “Xhirimet e jashtme – betejat dhe lokacionet tjera – duhet të përfundojnë brenda dy ose tre muajve. Pas kësaj, puna në studio nuk duhet të zgjaste më shumë se tre muaj tjerë”.

Kubricku besonte se nuk kishte nevojë për skenografi në studio, meqë gjithçka do të xhirohej në lokacionet reale në Francë

Ai donte të huazonte “më së shumti 40 mijë këmbësorë dhe 10 mijë kalorës” nga Ushtria rumune, ndërsa shtonte se rikrijimi i kampanjave të Napoleonit “nuk ishte punë aq e vështirë, siç dukej”. As nuk shqetësohej për buxhetin. Shumë prej uniformave për ushtarët rumunë do të bëhej nga një lloj i veçantë i letrës, shumë më i lirë se pëlhura, por e padallueshme në kamerë. Dhe, nuk do të kishte nevojë për të ndërtuar skenografi të detajuara në studio.

“Shumë nga pjesët e brendshme të pallateve mund të xhirohen në vende të vërteta në Francë, ku mobilet dhe enterieri ishin të gatshme, dhe ku mund të lëvizej me një ekuipazh të vogël dokumentarësh”.

Rezultati do të ishte i paparë. Deri atëherë, thoshte Kubrick, nuk ishte “asnjë film i madh historik” dhe “asnjë film i mirë ose i saktë” për Napoleonin. Edhe saga pesë orë e gjatë e vitit 1927 e regjisorit Abel Gance, e adhuruar mjaft nga kritikët, u hodh poshtë si “i tmerrshëm”… një film i papërpunuar”. Për dallim nga të gjithë, “Napoleoni” i tij do të ishte “filmi më i mirë i bërë ndonjëherë”.

Kjo ishte e mundshme. Nëse asgjë tjetër, Groen beson se “Napoleoni” mund të ishte “filmi më ikonik i Kubrickut”, duke ndërthurur “ritmin e ngadaltë të ‘Barry Lyndon’-it, vëmendjen për detajet te ‘2001’-shi, dhe fushëbetejat masive të ‘Spartacus-’-it”. Ndërsa, Harlan beson se do të ishte mjet i përsosur për preokupimet e Kubrickut: “Veprimet vetëshkatërruese nga njerëzit inteligjentë, helmi i xhelozisë dhe hakmarrjes, mënyrat sesi shkëlqimi, suksesi dhe fuqia mund të shkojnë paralelisht me egon, sqimën dhe abuzimin e një pushteti të tillë… këto ishin temat që e interesonin gjithmonë. Mendoni për ‘Lolita’-n, ‘Paths of Glory’ dhe ‘Dr. Strangelove’”.

Fatkeqësisht, studioja që kishte financuar “2001”-shin nuk u bind.

“Stanley kishte marrëveshje të para-produksionit me kompaninë MGM”, thotë Harlan, “një marrëveshje për të bërë një plan, planifikim dhe buxhet. Këto elemente u dorëzuan, por MGM nuk e vazhdoi në fazën tjetër”.

Për të rikrijuar kampanjat e Napoleonit, ai donte të huazonte 40 mijë këmbësorë dhe 10 mijë kalorës nga Ushtria e Rumanisë

Koha nuk po ecte për Kubrickun. Metro-Goldwyn-Meyer sapo kishte ndryshuar pronarët të cilët kishin më shumë dëshirë të ndërtonin kazino sesa të financonin dramat monumentale historike me 50,000 ushtarë. Ndërkohë, epika e Dino De Laurentiisit, “Uaterlo” (1970), nuk ofroi “asnjë inkurajim”. Për ta parafrazuar grupin ABBA, Kubricku më në fund u përball me Uaterllon e tij në më shumë se një mënyrë.

Filmi “A Clockwork Orange”: Si u realizua monumenti i kinemasë moderne?
Lexo po ashtu Filmi “A Clockwork Orange”: Si u realizua monumenti i kinemasë moderne?

Ishte një fund i trishtuar që Harlan e përshkruan si “dy vjet me përkushtim të plotë”, por që nuk e zmbrapsën Kubrickun. Pasi është marrë me një adaptim të romanit të Arthur Schnitzlerit të vitit 1926, “Traumnovelle” – nga i cili u bë “Eyes Wide Shut” tri dekada më vonë – vazhdoi të bënte filmin “A Clockwor Organge”. Në këto rrethana, është pothuajse e pabesueshme se ky film u lansua vetëm tre vjet pas “2001”-shit.

Pastaj erdhi “Barry Lyndon” (1975), ku u përfshinë disa nga hulumtimet e Kubrickut për “Napoleonin” dhe shumë prej ideve të tij inovative në lidhje me dramat e epokës: duke përdorur p.sh. lente ultra të shpejtë 50 milimetërshe, në mënyrë që skenat të ndriçoheshin me qirinj, llamba vaji dhe dritë të diellit. Nuk ishte “Napoleoni”, por ishte “një film i madh historik” që askush tjetër s’e kishte arritur.

“Barry Lyndon”: Rrëfimi për objektivin famoz – F/0.7
Lexo po ashtu “Barry Lyndon”: Rrëfimi për objektivin famoz – F/0.7

A ishte tunduar Kubricku ndonjëherë, që t’i kthehej projektit të zemrës?

“Seriozisht jo”, thotë Harlan, “sepse e dinte se nuk mund ta bënte të saktë vizionin e tij nëse nuk kishte kohë dhe një buxhet të madh. Televizioni nuk vinte në shprehje. Por, kjo gjë tash ka ndryshuar”.

Në të vërtetë, televizioni vitet e fundit ka ndryshuar aq shumë në aspektin e shpenzimit dhe fushëveprimit, sa që shoku i Kubrickut, regjisori Steven Spielberg, ka folur për prodhimin e një mini-serie të bazuar në skenarin e “Napoleonit”. Në vitin 2013, Baz Luhrmann u përmend si regjisor i mundshëm, si dhe Cary Fukunaga (që aktualisht xhiron filmin më të fundit të “Bondit”). Harlan është i bindur se tani koha është e duhur.

“Teknikisht televizioni qëndron mirë dhe një seri me shumë orë dhe kapituj është formati ideal për ‘Napoleonin’ e Stanley Kubrickut”, thotë ai. “Kjo do të ndodhe”! /Telegrafi/

Ka thashetheme se një seri televizive e inspiruar nga vepra e pambaruar e Kubrickut, po nxitet nga regjisori Steven Spielberg