LAJMI I FUNDIT:

“Dhjetë regjisorët më të mirë të 100 viteve të fundit”

“Dhjetë regjisorët më të mirë të 100 viteve të fundit”

Shija nuk diskutohet dhe kinematografia njeh shumë vepra dhe emra të mëdhenj të botë së këtij arti. Por, dhjetë personat e përmendur më poshtë janë ata që gjenden më së shpeshti në shumë vlerësime për regjisorët më të mirë.

Martin Scorsese: Është një nga regjisorët më të mëdhenj që jeton sot. Çdo person që merret me prodhimin e filmave është frymëzuar prej tij që nga vitet ’70 të shekullit të kaluar. Filmat e hershëm të Tarantinos mbartnin stilin me gangsterë të Skorceses të ndërthurur me komedi. Krijimtaria dhe origjinaliteti i Martin Scorceses kanë shkëlqyer në filma si: “Goodfellas”, “Taxi Driver”, “The Departed” (për të cilin ka fituar edhe një Oskar), “Raging Bull”, “Casino” dhe “Gangs of New York”, duke mos harruar filmin e tij më të fundit “The Wolf of Wall Street”.


Federico Fellini: Termi “Felinesk” hyri në bisedat e regjisorëve shumë kohë më parë, por nuk ka qenë kurrë më i pranishëm se tani. Çdo film shumë i bukur për nga ana e fotografisë dhe me stil, krahasohet me Felinin, sepse ai ishte mjeshtër i sekuencave ëndërruese dhe të momenteve të bukurisë gjigante. Shumë regjisorë nga e gjithë bota i kanë filmat e tij si pikë referimi në botën e madhe të kinematografisë. Ndër filmat më të njohur të Felinit mund të përmenden: “La Dolce Vita”, “8 ½”, “La Strada” dhe “Amarcord”.

Walt Disney: Nuk është vetëm burri që ndërtoi perandorinë më të madhe të reklamave, por ai ndikoi tek një brez i tërë regjisorësh dhe shpiku filmin modern vizatimor që njohim sot. Pa imagjinatën e tij, Pixar dhe Dreamworks nuk do të ekzistonin. Ai realizoi filma vizatimorë që i bënë fëmijët kudo në botë të jetonin imagjinatën e tyre. Ndër më të famshmit janë: “Bambi”, “Borëbardha”, “Hirushja” dhe “Liza në Botën e Çudirave”. Falë trashëgimisë që ai la, vazhdon prodhimi i filmave më të mirë vizatimorë edhe sot, me trilogjinë e “Toy Story”, “Up” dhe “How to Train Your Dragon”.

Ingmar Bergman: Regjisori i Woody Allenin, Ingmar Bergman, si një regjisor i talentuar dhe si një rrëfimtar i papërsëritshëm, solli për herë të parë përdorimin e pamjeve vizuale në tregimin e njëngjarjeje, duke i shtyrë shikuesit drejt aspektit filozofik dhe fetar të filmit. Edhe Roman Polanski shfaq shumë ndikim nga Bergmani në filmat e tij. Prodhimet më të njohura të Bergman janë: “The Seventh Seal”, “The Silence”, “Persona”, “Fanny and Alexander” dhe “Wild Strawberries”.

Howard Hawks: Si një regjisor amerikan tepër i njohur dhe i pëlqyer, karakteristikat e personazheve të tij mund të gjenden pothuajse në çdo film të analizuar me kujdes. Personazhet e femrave heroina dhe të forta ishin një shpikje e tij në vitet ‘30-‘40 në filma, si “Bringing up Baby”, “His Girl Friday”, “To Have and Have Not” dhe “The Big Sleep”. Ai gjithashtu krijoi atë që mund të shihet si prototipi i filmave Bond me përshtatjen kinematografike që i bëri romanit të Ernest Hemingway, “Të kesh a të mos kesh”. Prej kësaj u frymëzua Ian Fleming kur shkroi romanin e tij të parë të serive të Bond.

Akira Kurosawa: Ndikimi që pati Kurosaua në botën e kinemasë mund të kuptohet shumë thjesht prej filmave si “Seven Samurai”, “Ran” dhe “Kagemusha”. Filmat me luftëra nuk do të mund të ekzistonin pa ndikimin e arketipit të samurajit që ai e përcolli aq mirë, ku del në pah edhe kodi i nderit të luftëtarit. Filmat si “The Lord of the Rings” dhe “Saving Private Ryan” janë reminishenca të zhanrit që i dha emër Kurosaqa.

F.W. Murnau: Nëse sot jeni në gjendje të shihni filma horror, ka vetëm një njeri që duhet të falënderoni: Murnau, i cili është pionier i këtij zhanri dhe i ekspresionizmit gjerman në filma. Ai i dhuroi kinemasë monstrën më të njohurKontin Drakula në kryeveprën e tij “Nosferatu” dhe i dha jetë legjendës gjermane të folkut me Faustin e tij klasik e të heshtur. Filmat e tij më të njohur janë: “Dracula”, “The Exorcist” dhe “Night of the Living Dead”.

Stanley Kubrick: Mënyra sesi i tregonte historitë e tij përmes filmave ka qenë unike, gjë që e fut atë ndër regjisorët më të mëdhenj të 100 viteve të fundit. Ai revolucionarizoi çdo zhanër mbi të cilin punoi. Filmat “Paths of Glory” dhe “Full Metal Jacket” shfaqin dy këndvështrime të ndryshme mbi luftën dhe kanë ndikuar në çdo film lufte që është bërë më pas. Filmi “Dr. Strangelove” është më i errëti nga komeditë e zeza dhe gjithashtu është një nga filmat që gjatë viteve është kopjuar më së shumti pa ia dalë me sukses. “The Shining” i këtij regjisori është shembulli më i njohur i horrorit. Nga ana tjetër, risia më e madhe dhe më e rëndësishme e tij ishte kryevepra që “2001: A Space Odyssey”.

Alfred Hitchcock: Mjeshtri i ankthit. Ai ishte një nga regjisorët që e kuptonte më së miri psikikën njerëzore. Dinte ta mbante audiencën në terror dhe ankth. Mënyra sesi manovronte me kamerën ia shtonte edhe më shumë misterin filmave të tij. Gjatë viteve, stili i tij i drejtimit të një filmi është bërë “A-ja” e regjisurës. Ndër filmat më të mirë që ka realizuar, janë: “Psycho”, “Vertigo”, “The Birds”, “Real Window” dhe North by “Northwest”.

Orson Welles: E gjithë magjia e tij mund të shprehet vetëm me një fjali “Citizen Kane. Ky është filmi që ai shkroi, drejtoi dhe luajti. Në kinema ekziston shprehja “para dhe pas Citizen Kane”, për shkak se që prej debutimit të këtij filmi, kinemaja nuk ishte më e njëjta. I cilësuar si filmi më i mirë i të paktën 70 viteve të fundit, ai ka shpalosur teknikën dhe stilin e tij. Filmat si “Godfather” dhe “There Will Be Blood” janë të dy shumë të influencuar nga Welles. Dilemat që prekin protagonistët e filmave të tij, gjenden edhe te shumë filma të regjisorëve tjerë të njohur. /Shqip/