LAJMI I FUNDIT:

Fillon prodhimi i Mercedes-AMG One 2022 në Britaninë e Madhe

Fillon prodhimi i Mercedes-AMG One 2022 në Britaninë e Madhe

Ka filluar prodhimi i hiper-veturës së parë nga 275 të planifikuara të Mercedes-AMG One në fabrikën e ndërtuar posaçërisht për të në Coventry të Mbretërisë së Bashkuar.

Pas më shumë se pesë vite në zhvillim, duke përfshirë vonesat e detyruara nga puna për të përshtatur motorin hibrid temperament Grand Prix të makinës për përdorim rrugor, veturat e para për klientët po montohen në fabrikën e ndërtuar në vendin që dikur quhej “qyteti motorik” i Britanisë.


Drive raporton se tetë vetura veçse janë konfirmuar për pronarët e tregut australian, edhe pse “coupe-t” me timonin në anën e majtë nuk mund të regjistrohen për rrugë, teksa shumica e veturave pritet që të dërgohen deri në mesin e vitit të ardhshëm, transmeton Telegrafi.

“Mercedes-AMG One është një nga projektet më ambicioze që ne kemi ndërmarrë – që nga zhvillimi deri tek prodhimi”, tha Philipp Schiemer, udhëheqës i Mercedes-AMG në një deklaratë zyrtare.

Britania ishte zgjedhur si vend për ndërtimin e fabrikës së montimit për shkak të afërsisë me fabrikën e motorëve të Mercedes-AMG në qytetin e Brixworth, edhe pse të gjitha veturat dërgohen në Gjermani, shtëpinë historike të AMG në Affalterbach, për detajet përfundimtare dhe dërgimin tek pronarët.

Fabrika në fjalë gjithashtu gjendet më pak se 70 kilometra larg nga baza e ekipit të Formula 1 të Mercedes-AMG në Brackley.

“AMG ka punuar me partnerin e prodhimit Multimatic, specialist në prodhimin e volumit të ulët, të cilët më parë ishin kontraktuar edhe nga Aston Martin dhe nga Ford në lidhje me veturën e saj rrugore GT, për të ndërtuar një fabrikë të dedikuar për prodhimin e serive të vogla”, bënë të ditur nga Mercedes në deklaratën e tyre zyrtare. /Telegrafi/