LAJMI I FUNDIT:

Gjakovarët protestojnë kundër vizitës së serbëve që kanë bërë krime (Foto)

Gjakovarët protestojnë kundër vizitës së serbëve që kanë bërë krime (Foto)

(E PLOTËSUAR) Me pankartat” Gjakova nuk harron”, “S’ka qetësi pa drejtësi” dhe “Dëshmorët nuk negociohen”, qindra qytetarë të Gjakovës, në mëngjesin e sotëm kanë protestuar para kishës ortodokse serbe, duke kundërshtuar kështu vizitën e pelegrinëve serbë, të cilët dyshohen se kanë kryer krime lufte.

Nevzede Luzha nga Gjakova ka dy djemtë e vrarë. Ajo tha se çdoherë del për të kundërshtuar ardhjen e tyre.


“Ju huptë fara atyre. Kanë vra, kanë dhunu femra. Qysh me duru nana. Kom me dal çdo herë. Dy mbreta më kanë shku. Edhe prej vorrit kom me u qu, me mbrojt vendim tim. Zoti i faroftë ata. Shtatë meshkuj jon shku prej familjes Luzha. Dy djemtë e mëdhenj, Arben edhe Arbër Luzha m’i kanë vra”, tha ajo, raporton KP.

Ndërsa, Pashke Llesha, e cila ka të vrarë djalin, qeverinë e ka quajtur diktatoriale, duke fajësuar këtë të fundit për këto vizita.

Edhe policia thotë se protestuesit janë të qetë. Kapiten Shpresim Ramadani ka thënë për KosovaPress se nuk kanë informatë se nëse do të vijnë pelegrinët serbë.

Sipas tij, nëse edhe këta të fundit nuk do të vijnë për vizitë, janë të informuar se protesta do të zgjas deri në orën 12:00.

Në derën e kishës ortodokse protestuesit kanë lënë pankartat “Gjakova nuk harron” dhe “I keni duart me gjak”. Protestuesit gjithashtu kanë vendosur në dyer banerin me emrat e serbëve, që sipas tyre kanë kryer krime në Gjakovë./Telegrafi/


Në Gjakovë po protestohet kundër vizitës së pelegrinëve serbë

Në Gjakovë sot mbahet një protestë e qytetarëve dhe nënave gjakovarë për të kundërshtuar ardhjen e pelegrinëve serbë në kishën ortodokse të këtij qyteti.

Sipas protestuesve kjo protestë mbahet jo për të kundërshtuar ceremoninë e pelegrinazhit, por kundër ardhjes, siç i kanë quajtur ata, të kriminelëve serbë, të cilët kanë kryer krime mbi popullatën shqiptare gjatë luftës së vitit 1998-1999.

Etnik Berisha, aktivist politik në Gjakovë, tha se nuk ka asnjë organizator të protestës, pasi që protesta bëhet për çdo vit dhe njerëzit do të mblidhen sipas thirrjes së krijuar në Facebook, ku paralajmërohet protesta.

“Problemin që kemi ne është se në mesin e tyre ka persona të cilëve ne ua njohim të bëmat gjatë luftës. Ata kanë emër e mbiemër. Por, jemi dëshmitarë se të njëjtit nuk janë hetuar, gjykuar, e dënuar, për këto të bëma. Në këto rrethana kur heshtja institucionale ka shtuar kripë në plagët tona, vizita e tyre në qytetin që e lanë me gjak dhe e bënë shkrumb e hi është provokim”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.

Nën moton “Gjakova nuk harron” dhe “Gjakova kërkon drejtësi”, protesta po mbahet te rruga “Mbretëresha Teutë” në Gjakovë.

Policia është në vendin e ngjarjes.