E plotësuar: Gjatë seancës fillestare të mbajtur të martën në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Jelena Gjukanoviq, zyrtare e misionit të OSBE-së në Kosovë, është deklaruar e pafajshme ndaj akuzës për spiunazh.

Deklarata e saj erdhi pas leximit të aktakuzës nga prokurori Bekim Kodraliu.


Pas kësaj, gjykatësi Rrahman Beqiri informoi të akuzuarën dhe avokatin e saj, Predrag Milkoviq, se kanë afat prej 15 ditësh për të paraqitur kundërshtimet ndaj provave dhe për të kërkuar hedhjen poshtë të aktakuzës.

Avokati Milkoviq kërkoi që ky afat të zgjatet në 30 ditë, por kërkesa u refuzua nga gjykata, me arsyetimin se e akuzuara ndodhet në paraburgim.

-----------------------------------------------------------------------

Fillon gjykimi ndaj Jelena Gjukanoviq, e dyshuar për spiunazh

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka filluar gjykimi ndaj Jelena Gjukanoviq, e dyshuar për spiunazh.

Ajo u arrestua më 28 shkurt 2025, ndërsa më 2 mars, gjykata caktoi masën e paraburgimit prej një muaji, e cila më pas u zgjat edhe për dy muaj të tjerë.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte njoftuar se pas zhvillimit të hetimeve disamujore, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë Kundër Terrorizmit dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, më 28.02.2025, në regjionin e Mitrovicës kishte arrestuar Gjukanoviqin për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale – spiunazhi. Gjykata Themelore në Prishtinë me 02.03.2025 kishte caktuar masën e paraburgimit për herë të parë ndaj të dyshuarës Jelena Gjukanoviq.

Gjykata Themelore në Prishtinë përmes njoftimit kishte bërë të ditur se ekziston dyshimi i bazuar se Jelena Gjukanoviq, në bashkëkryerje ka kryer veprën penale të spiunazhit dhe se masa e paraburgimit i është caktuar për shkak të rrezikut se e ajo mund të ndikojë në prova dhe në dëshmitarë, si dhe mund të përsëris veprën e njëjtë penale ose mund të kryejë sërish vepra tjera penale në rrethana të njëjta ose më të rënda.

“Gjykata konsideron se pesha e veprës penale është e natyrës së rëndë, andaj caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale, pengimin e rrjedhës normale të kësaj procedure penale si dhe pengimin e përsëritjes së veprave penale”, thuhej në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë. /Telegrafi/

Jelena Gjukanoviq n\u00eb gjykat\u00eb Foto: Ridvan Slivova

Jelena Gjukanoviq n\u00eb gjykat\u00eb Foto: Ridvan Slivova