LAJMI I FUNDIT:

Fillesat e studios “Marubi” – në oborr

Fillesat e studios “Marubi” – në oborr

Qe një oborr si gjithë të tjerët, i rrethuar me mure, me pemë e shkurre, e prej ku shihej dera dhe dritarja e shtëpisë, shkalla dhe një parmak me shkopinj…

Qe një oborr edhe në kuptimin e një selie ku mund të hynin e rrinin mbreti, princi e bajraktari, por edhe një strehë për katundarin dhe lypësin. Qe një oborr që kishte avantazhin e fotografimit me dritë natyrale.


Meqë duhej të rregullohej intensiteti i dritës, ai oborr mbulohej me një cohë që zbuste dritën duke u kthyer në një tendë ku rrihej për një kohë të shkurtër. Për këtë arsye ngjante si “tenda e takimit”, një vendtakim për të gjithë, vendas e të huaj që vinin e hynin aty për të takuar veten nëpërmjet Marubit.

Vendndodhja dhe aktiviteti i studios së parë fotografike të ngritur nga Pietro Marubi në Shkodër ende nuk dihet. Viti 1856 mbetet data e themelimit të studios në Shkodër. Studio nuk kishte objekt në fillim, por oborr. E, në atë oborr shkodran u fotografuan grupe patriotësh, bajraktarë e kryengritës, përfaqësues të Komisionit të Kufijve, delegatë e politikanë, gra e burra me veshje qyteti, fshati e malësie…