FFK: Ndeshja e parë jashtë Kosovës, ende s’ka kundërshtar

“Me gjasë ndeshja e parë do të zhvillohet jashtë Kosovës. Por Komiteti Ekzekutiv i FFK-së mbetet fuqishëm i angazhuar që ndeshja tjetër e radhës të zhvillohet në Kosovë dhe të bëhet në një mënyrë madhështore çfarë e meritojnë adhuruesit e futbollit në Kosovë”, njofton FFK-ja, përmes një komunikate për medie, sipas të cilëve arsye pse ata duhet të zgjedhin stadiumin jashtë Kosovës është se dy stadiumet e mundshme, i Prishtinës dhe Mitrovicës ende nuk janë të gatshëm.
“ “FIFA ka dërguar një letër, në të cilën shpreh gatishmërinë që pas përparimit dhe përfundimit në konstruksionet në dy stadiumet, të Prishtinës dhe në atë “Adem Jashari” në Mitrovicë si stadiume të propozuara nga FFK-ja të dërgojë një delegat të tyre që të bëjë inspektimin për të konstatuar nëse i plotësojnë kushtet minimale për një ndeshje miqësore ndërkombëtare”.
Ministria e Kulturës ditë më parë gazetës sonë i pati deklaruar se ata janë në gjendje të investojnë në atë stadium që FFK-ja përcaktohet se do të luhet ndeshja dhe se do të bëjnë të mundur t’i plotësojnë kriteret që të zhvillohen ndeshjet ndërkombëtare. Por ja që FFK-ja duket se e ka pasur të vështirë të vendosë se ku do të luhet ajo ndeshje në Prishtinë apo Mitrovicë, duke bërë që gjërat të mbesin në vend.
“Pas vendimit për zhvillimin e ndeshjeve miqësore me gjithë dëshirën që ndeshja e parë të zhvillohet në Prishtinë edhe atë me SHBA-të, Zvicrën apo Turqinë, kjo ishte e pamundur ngase këto shtete tashmë kishin aranzhuar ndeshjet e tyre me rivalë tjerë.
Në kërkim të një rivali të mundshëm për datën 5 mars Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, ka angazhuar agjenci në kërkim të aranzhimit të një ndeshjeje me ndonjë përfaqësuese që aktualisht është e lire”, thuhet në njoftimin e FFK-së, duke mos përmendur emra, edhe pse më herët është thënë se në opsion janë katër përfaqësuese, Ishujt Faro, Xhamajka, Kolumbia dhe Shqipëria, emra këta që ende mbeten opsion i mundshëm.
Një problem tjetër që po e mundon shtëpinë e futbollit është edhe çështja e futbollistëve që luajnë në përfaqësueset tjera. FFK-ja ka vendosur që këta lojtarë tash për tash mos të “ngucen” dhe se trajneri duhet të përcaktohet për futbollistët tjerë që nuk kanë “obligime” ndaj askujt.
“KE konsideron se në asnjë mënyrë nuk duhet të dëmtohen interesat e këtyre futbollistëve që luajnë në përfaqësueset e tjera në Evropë në këtë fazë, ndërsa përzgjedhësit i mbetet që ai vetë të bëjë përzgjedhjen e lojtarëve për përfaqësuesen e Kosovës, sipas synimeve dhe programit të tij”. /Zëri/Telegrafi/




















































