Edicioni i katërt i Festivalit Ndërkombëtar të Operës, 'Ramë Lahaj and Friends' ka nisur në mungesë të një salle koncertale të dedikuar, e cila do të mundësonte shfaqjen e plotë të vlerave kulturore shqiptare. Organizuesi i festivalit dhe tenori kryesor, Ramë Lahaj, ka bërë thirrje të hapur ndaj Qeverisë së Kosovës, Komunës së Prishtinës dhe ndërmarrjeve private për ndërtimin e kësaj salle të shumëpritur.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka nënvizuar se jeta kulturore në Kosovë është ndër më të gjallat dhe më të pasurat në rajon. Ajo ka theksuar rëndësinë e rritjes së investimeve jo vetëm materiale, për të përfaqësuar artin, kulturën dhe artistët kosovarë në mënyrën më të mirë të mundshme.


"Gjithnjë ka hapësirë për rritjen e investimeve, për të siguruar që arti, kultura dhe artistët të përfaqësojnë Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme", tha Gërvalla.

451674568 1199352311414830 3524597992410936964 n

Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Jehona Lushaku-Sadriu, vlerësoi rolin e festivalit në ndërkombëtarizimin e kulturës kosovare dhe promovimin e vlerave të muzikës klasike. Ajo theksoi rëndësinë e këtij festivali në promovimin e identitetit kulturor të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Ramë Lahaj, duke u shprehur për domosdoshmërinë e një salle koncertale, deklaroi se presioni ndaj Qeverisë dhe Komunës së Prishtinës nuk do të ndalet deri në realizimin e kësaj kërkese. Ai sugjeroi se mënyra më e mirë për të ushtruar këtë presion është duke sjellë artistët në shesh dhe duke bërë të dukshme nevojën e madhe për një sallë koncertale.

453157634 3731902540396786 855388277172660028 n

"Mënyra e duhur për këtë presion është duke sjellë artistët në shesh dhe duke nxjerrë të vërtetën në shesh se ka nevojë për një sallë koncertale", theksoi Lahaj.

Nesër, në ora 20:30, në Sheshin Skënderbeu në Prishtinë, do të mbahet Gala Mbrëmja ‘Ramë Lahaj & Friends’, me dirigjent Sascha Goetzel, tenor Murat Karahan, Charles Castronovo dhe kryesuesin e mbrëmjes, tenorin Ramë Lahaj.

Ky event premton një natë të paharrueshme me performanca të jashtëzakonshme dhe një apel të fortë për mbështetje të kulturës në Kosovë. /Telegrafi/

451197789 509466238202888 7106853464302355003 n

452292782 2221202251548058 1441571083794233217 n

451711588 1020345716290388 4496250384991642171 n