LAJMI I FUNDIT:

Festivali i filmit mbi migracionin, për herë të parë në Prishtinë

Festivali i filmit mbi migracionin, për herë të parë në Prishtinë

Sot, për herë të parë në Kosovë, do të organizohet shfaqja e filmave në kuadër të Festivalit Global të Filmit mbi Migracionin, ku janë përzgjedhur filma vendor si dhe filma dhe dokumentarë nga përzgjedhja ndërkombëtare.

Në këtë edicion do të shfaqen filma të shkurtër dhe të gjatë, si dokumentari “I am Rohingya”, “Zvicra”, “Kiem Holijanda” etj.


Një fokus i veçantë do të jetë shfaqja e filmit të shkurtër “Home” nga Daniel Mulloy, fitues i çmimit BAFTA për vitin 2017 për filmin më të mirë të shkurtër.

Filmat e përzgjedhur mbulojnë aspekte të ndryshme të migrimit, nga kthimi i detyruar me forcë, migrantët në lëvizje, deri tek çështjet e integrimit dhe identitetit kur jetojnë në diasporë. Nëpërmjet tyre, tregimet personale do të tregojnë një aspekt njerëzor të migrimit, përtej vellos të paragjykimit, dhe numrave të depersonalizuar.

Festivali i filmat organizohet nga IOM-i në Kino Armata, duke filluar nga ora 18:00. /KP/