Festimet për Ditën e Evropës përmbyllen me një ecje malore në shtigjet e Rugovës

Festimet për Ditën e Evropës, që vazhduan gjatë gjithë muajit maj në qytete të ndryshme të Kosovës, u përmbyllën me një aktivitet në Rugovë, ku pjesëmarrësit iu bashkuan një ecjeje me guidë përgjatë shtigjeve të financuara nga Bashkimi Evropian.
Aktiviteti u organizua nga Bashkimi Evropian në Kosovë, në partneritet me Balkan Natural Adventure, dhe u dha pjesëmarrësve mundësinë të përjetojnë nga afër peizazhet e Rugovës, bukurinë natyrore të zonës dhe trashëgiminë e saj kulturore.

Përtej vetë ecjes, aktiviteti shërbeu edhe si një mundësi për pjesëmarrësit për të parë nga afër investimet e BE-së në terren, nga shtigjet e mbështetura deri te ruajtja e peizazheve natyrore që janë pjesë e përbashkët e komunitetit.
Virtyt Gacaferri nga Balkan Natural Adventure tha se është me rëndësi që ecjet në natyrë të lidhen me qytetin, në mënyrë që njerëzit ta përqafojnë natyrën pa pasur nevojë për veturë.

“Ne mendojmë që është shumë me rëndësi që ecjet në natyrë të jenë të lidhura me qytetin, në mënyrë që njerëzit ta përqafojnë natyrën pa pasur nevojë për veturë. Shtegu i Livadhit të Sakes është pikërisht i tillë. Ka shumë pak pejanë që nuk kanë një kujtim nga ky vend,” tha Gacaferri.
Ai tha po ashtu se kjo ecje, në frymën e Ditës së Evropës, promovon vlera që ndërlidhen me jetesën e shëndetshme, kujdesin për mjedisin dhe krijimin e hapësirave publike që i bashkojnë njerëzit.

Si partneri më i fuqishëm i Kosovës, Bashkimi Evropian vazhdon të mbështesë mbrojtjen e mjedisit, turizmin e qëndrueshëm dhe komunitetet që jetojnë në këto hapësira.
Me këtë aktivitet u përmbyll edhe programi i festimeve për Ditën e Evropës, i cili gjatë muajit maj solli ngjarje të ndryshme në mbarë Kosovën.







































