Protesta nesër në Prishtinë, Ramosaj: “Kjo është protesta e zërit të komunave dhe e qytetarëve tanë"

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka njoftuar për protestën që do të mbahet nesër, më 1 shtator 2026, në ora 11:00, në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Ramosaj ka bërë të ditur se në protestë pritet të marrin pjesë komunat e Republikës së Kosovës dhe mijëra punonjës të administratës publike, me qëllim kundërshtimin e, siç ka thënë ai, qasjes ndaj komunave që po vështirëson funksionimin e tyre dhe po ndikon në buxhetet komunale.
Rama fton qytetarët në protestë më 1 shtator: Qeveria Kurti u ka marrë komunave mbi 344 milionë euro

Sipas tij, protesta synon të shprehë pakënaqësinë për mosadresimin e kërkesave të komunave, si dhe për atë që ai e ka cilësuar si trajtim jo dinjitoz, selektiv dhe diskriminues ndaj tyre.
“Kjo është protesta e zërit të komunave dhe e qytetarëve tanë”, ka shkruar Ramosaj.
Ai ka theksuar se komunat nuk mund të qëndrojnë në heshtje, kur, sipas tij, u pamundësohet puna dhe rrezikohen shërbimet që u takojnë qytetarëve.
Protesta do të mbahet më 1 shtator, në ora 11:00, në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. /Telegrafi/







































