LAJMI I FUNDIT:

Festën e Bajramit qytetarët mund ta presin pa energji elektrike (Video)

Festën e Bajramit qytetarët mund ta presin pa energji elektrike (Video)

Në ditë vere, rikthehen sërish reduktimet e energjisë elektrike, shkaku i ndërprerjes së planifikuar të bllokut B2 për remont dhe rënia e paplanifikuar e bllokut 1.

Një rënie e tillë ka rikthyer akuzat dhe kundërakuzat mes KEK-ut si prodhues i energjisë dhe KEDS-it si furnizues i energjisë, raporton KTV.

Ka qenë kjo komunikatë e lëshuar në mëngjes nga KEDS-i që ka ngritur tensionet mes dy operatorëve. Në komunikatë kanë deklaruar se të dy blloqet janë ndërprerë pa asnjë paralajmërim, duke shkaktuar probleme në furnizim.

Sipas KEDS-it, zyrtarë të të cilit nuk kanë pranuar të flasin para kamerës, kjo nënkupton se vetëm brenda dy ditësh është reduktuar prodhimi me mbi 70 për qind.

Ata janë arsyetuar se përkundër përpjekjeve është e pamundur të sigurohet furnizimi i plotë me energji elektrike, duke u lidhur me disa rregulla ndërkombëtare që po e pamundësojnë sigurimin e më shumë energjie.

Andaj, Fitër Bajrami ka shumë gjasa të kalojë nën shoqërimin e reduktimeve.

Por, me këtë nuk pajtohet KEK-u. Ata thonë se për futjen në remont të bllokut 2 ka shumë kohë që KEDS-i është i njoftuar.

Në ndërkohë, punëtorët e këtij termocentrali po vazhdojnë punën për të sanuar rrjedhjen në kaldajë, që shkaktoi edhe rënien e bllokut.

Bazuar me punën e bërë deri tash, pritet që blloku të kthehet në mesditën e së të martës.

Ndërkohë, që në disa lokalitete ka pasur ndërprerje të paplanifikuara të energjisë.