LAJMI I FUNDIT:

Festa e të moshuarve në shtëpinë “Jetimat e Ballkanit”, me shoqëri e shëndet të mirë presin ndërrimin e motmoteve

Shoqata Bamirëse “Jetimat e Ballkanit”, nën udhëheqjen e Halil Kastratit është gjithmonë afër njerëzve në nevojë. Me një përkushtim të palëkundur për të sjellë ndryshime pozitive, shoqata ka arritur të dhurojë mbi 100 palë çelësa për shtëpi të reja për familje në nevojë, si dhe që tri vite menaxhon Shtëpinë e të Moshuarve “Jetimat e Ballkanit” në Gjinoc të Suharekës.

Udhëheqësi i shtëpisë së të moshuarve, njëherësh humanisti, Halil Kastrati në një intervistë për Telegrafin tregoi disa nga iniciativat e tij bamirëse, duke përfshirë edhe kuzhinat humanitare të vendosura në qytetet e Prizrenit, Prishtinës dhe Janjevës, ku një mijë persona në nevojë përfitojnë nga një vakt ushqim çdo ditë.


Halil Kastrati, “Jetimat e Ballkanit”

Po ashtu, ai tha se shoqata ka një angazhim 24 orësh në shtëpinë e të moshuarve, duke siguruar kujdes dhe shoqëri për ata që kanë më shumë nevojë.

Ndërkaq, për fëmijët bonjakë Kastrati u shpreh se shoqata ofron bursa mujore që u mundësojnë atyre qasje në arsim.

“Ky vit ka qenë shumë i suksesshëm. Ne e konsiderojmë të suksesshëm sepse kemi sjellë buzëqeshje të shumta. Këtë vit 115 familje janë bërë më shtëpi të reja. Janë kuzhinat tonë në qytetin e Prizrenit, Prishtinës e Janjevës”, tha Kastrati.

“Një mijë persona në ditë ushqehen dhe janë ushqyer gjatë tërë vitit. E kjo ka vite e vite. Është aktiviteti 24 orësh këtu në shtëpinë e të moshuarve. Janë mbi 400 fëmijë bonjak që marrin pagë mujore, bursa mujore”, tha ai.

Shtëpia e të Moshuarve, “Jetimat e Ballkanit”

Tutje Kastrati tha se së bashku me ndihmat ushqimore dhe strehimin, shoqata ka ndihmuar shumë raste të personave me sëmundje të ndryshme, duke u përballur me nevojat shëndetësore.

“Shumë raste me sëmundje të ndryshme që janë ndihmuar si çdo vit edhe këtë vit. Edhe është hapja solemne e mega-projektit në qytetin e Vushtrrisë që është qëndrim ditor për të moshuarit dhe kuzhina humanitare”, tha ai.

Përkundër peshës së madhe emocionale dhe fizike që vjen për të drejtuar një organizatë bamirëse, Halil Kastrati ndan një ndjenjë të thellë përkushtimi ndaj detyrës së tij.

I pyetur se si i përballon gjithë këto angazhime, projekte të mëdha e shumë dashamirëse, ai u shpreh: “Edhe vet nuk e di. Me të vërtetë puna me emocione të mëdha është shumë e rëndë. Ndonjëherë më ka lënë tërë natën pa gjumë. Ndonjëherë sa je i uritur mundesh me ngrënë, por nuk shkon teposhtë”.

Kastrati u shpreh se aktualisht në shtëpinë e të moshuarve janë diku 67 banorë.

“Afërsisht janë 67 persona. Dhe 67 histori në vete. Jetojmë bashkë me ta. Ndajmë të mirën, gëzimin, mërzinë bashkë me ta. Edhe këta kanë rrëfime që kanë histori më vete. Asnjëherë nuk lodhesh gjatë ditës me aktivitet sa të këputen këmbët me një rrëfim të një banori. Ndonjëherë lodhesh shumë jashtë, dhe kur vjen ta japin një buzëqeshje dhe një përqafim të heq gjithë lodhjen. Ne jetojmë me ta.

Vitet tjera, por edhe gjatë tërë vitit në çfarëdo lloj feste, qoftë kombëtare, por edhe fetare shumë shoqëri të ndryshme këtu në Kosovë, vijnë dhe i argëtojnë të moshuarit”, ka thënë Kastrati.

Mirëpo, si janë duke i pritur banorët e Shtëpisë së të Moshuarve “Jetimat e Ballkanit”, orët e fundit deri në ndërrimin e motmoteve?

Banoret brenda Shtëpisë së të Moshuarve “Jetimat e Ballkanit”

Ndjenjat e mirënjohjes e të moshuarve që kanë nga kujdesi i Halil Kastratit dhe ekipi i tij janë të dukshme.

E moshuara Zejnije Morina thotë se kalojnë shumë mirë në shtëpinë e të moshuarve dhe kanë kujdesin e duhur.

“Kalojmë shumë mirë, me hëngër e me pi i kemi të gjitha. Flasim, qeshim. Shumë mirë e çojmë. Më mirë s’ka qysh”, tha ajo.

Banorët brenda Shtëpisë së të Moshuarve “Jetimat e Ballkanit”

Edhe Nebih Ibishi thotë se pos përkujdesjes që kanë, ata presin e përcjellin shumë vizitorë e dashamirë.

Ndërsa, i moshuari tjetër Mustafë Ramadani u shpreh se falë ndihmës së Halil Kastratit janë duke jetuar shumë mirë.

“Kushtet të gjitha i kemi. Me hëngër, me pi, me pastrim, me flejt. Krejt i kemi mirë. Çdo festë, e kemi kështu gjithmonë…”, ka thënë i moshuari. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Njësiti special serb “Kobra” dyshohet të jetë pjesë e trajnimeve të grupeve terroriste pranë kufirit me Kosovën

Njësiti special serb “Kobra” dyshohet të jetë pjesë e trajnimeve të grupeve terroriste pranë kufirit me Kosovën

Siguri
A po e kushtëzon Sllovenia Kosovën me Asociacion për t'u bërë pjesë e Këshillit të Evropës - flet presidentja Pirc Musar

A po e kushtëzon Sllovenia Kosovën me Asociacion për t'u bërë pjesë e Këshillit të Evropës - flet presidentja Pirc Musar

Lajme
Togerja e Policisë së Kosovës fiton çmim ndërkombëtar për shërbim në komunitet

Togerja e Policisë së Kosovës fiton çmim ndërkombëtar për shërbim në komunitet

Siguri
Meta: Ambasadorin italian do ta kisha shpallur “non grata” në Shqipëri

Meta: Ambasadorin italian do ta kisha shpallur “non grata” në Shqipëri

Lajme
Italiania e dashuruar me Sarandën: Sa erdha thashë do të jetoj këtu, tani kam biznes

Italiania e dashuruar me Sarandën: Sa erdha thashë do të jetoj këtu, tani kam biznes

Lajme
Konkursi për gradimin e policëve, dyshohet për favorizime të familjarëve të eprorëve

Konkursi për gradimin e policëve, dyshohet për favorizime të familjarëve të eprorëve

Siguri
Kalo në kategori