Fermin Lopez ishte shumë pranë një transferimi te Chelsea këtë verë, por mesfushori andaluzian vendosi të refuzojë ofertën e londinezëve dhe të qëndrojë te Barcelona.

Në një intervistë për Mundo Deportivo, 21-vjeçari zbuloi se mbështetja e shokëve të skuadrës ishte vendimtare për të marrë këtë vendim.


“Kam pasur disa biseda me disa prej tyre. Por e gjithë skuadra ka qenë shumë mbështetëse këtë javë dhe të gjithë donin që unë të qëndroja. Mbështetja nga dhoma e zhveshjes vlerësohet”, tha FerminLopez.

Lopez pranoi se disa lojtarë ushtruan presion që ai të mos largohej.

“Kush më bëri më shumë presion? Mjaft, por mund t’ju them... Ter Stegen, për shembull. Me të, me Ronald Araujon, me Pedrin... Me mjaft lojtarë, në të vërtetë. Edhe Raphinha”, u shpreh ai.

Raportimet nga Spanja theksojnë se Fermin e kishte konsideruar seriozisht largimin, pasi Chelsea i ofroi një pagë dukshëm më të lartë.

Megjithatë, mesfushori vendosi të mbetet në “Camp Nou”, duke preferuar të luftojë për vendin e tij te Barcelona dhe të vazhdojë rrugëtimin në klubin ku është rritur. /Telegrafi/

telegrafi sport app