LAJMI I FUNDIT:

Fermerët kundërshtojnë heqjen e masave për mbrojtje nga prodhimet e Bosnjës

Fermerët kundërshtojnë heqjen e masave për mbrojtje nga prodhimet e Bosnjës

Shoqata e Fermerëve Kosovarë të Qumështit ka shprehur shqetësimin e saj pas raportimeve të mediave vendore dhe atyre të Bosnjës lidhur me një marrëveshje të supozuar mes kryeministrit të Kosovës dhe atij boshnjak për prolongimin e vendimit të MTI-së që parasheh masa mbrojtëse ndaj importit të produkteve të qumështit që vijnë nga Bosnja.

“Pasi Kryeministria e Kosovës nuk ka pasur një njoftim zyrtar për këto raportime, ne kërkojmë nga kryeministri Ramush Haradinaj që të deklarohet qartë nëse ka bërë një marrëveshje të tillë me homologun e tij boshnjak gjatë Samitit Digjital në Shkup”, thuhet në reagim.

Shoqata e Fermerëve Kosovarë të Qumështit përsërit se vendimi i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për vendosjen e masës së përkohshme mbrojtëse për importin e qumështit nga Bosnja dhe Hercegovina, është një ndër lajmet më të mira që kanë ndodhur në sektorin tonë në vitet e fundit.

“Ne kemi ngritur disa herë zërin ndaj pabarazisë së tregtisë me Bosnjën, ku kjo as që e njeh shtetin tonë dhe i referohet gjithmonë me UNMIK Kosovo, ndërsa eksportimi i mallrave tona në këtë vend është pothuajse i pamundur. Ne sinqerisht shpresojmë se raportimet për stopimin e këtij vendimi të jenë të pavërteta, ndërsa mbesim thellësisht të brengosur deri në një sqarim definitiv nga kryeministri i Kosovës”, thuhet më tej në reagim.

Fermerët e qumështit kërkojnë nga institucionet kosovare të fillojnë të mbrojnë interesat e prodhuesve kosovarë dhe se është e pa kuptimtë që masa e paralajmëruar për mbrojtje nga prodhimet e Bosnjës të hiqet vetëm pas pak ditësh. /Telegrafi/